Sindikata e Futbollistëve Profesionist të Shqipërisë (SFPSH) i kërkoi të dielën Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) përfshirje në paketën e ndihmës financiare edhe të futbollistëve të Kategorisë së Dytë.
Në një letër të hapur drejtuar FSHF-së, SFPSH shprehet se shumë futbollistë të kategorisë së dytë janë në vështirësi ekonomike.
Angazhimi i tyre në klube të administruara nga bashkitë, i ka lënë jashtë skemës së FSHF-së, për të mbështetur futbollin.
SFPSH i kërkon FSHF-së që ta rishikojë vendimin dhe të përfshijë edhe futbollistët e kategorive të ulëta.
Prej 6 marsit ndeshjet e futbollit janë pezulluar si masë kufizuese të epidemisë së koronavirusit.
Kjo ka bërë që shumica e klubeve të vihen në vështirësi financiare, pasi nuk kanë mundësi të sigurojnë likuiditet apo të ardhura nga ndeshjet.
Pasi mori përgjigjie negative për ndihmë nga qeveria, të enjten FSHF vendosi të mbështeste nga fondet e veta, me 30 mijë lekë ndihmë ekonomike futbollistët dhe punonjësit e klubeve të cilat nuk administrohen nga bashkitë.
Shumica e klubeve në Shqipëri zotërohen nga bashkitë (përveç Partizanit), ose në ortakëri me privatë (klube si Tirana, Skënderbeu, Bylisi etj.)
Nga Superliga, FSHF ka bërë përjashtim nga skema duke mbështetur edhe Vllazninë dhe Flamurtarin, klube të cilat nën administrimin e bashkive, kanë pasur probleme me financat.