Partia Socialiste dorëzoi, të premten, në mbledhjen e Këshillit Politik propozimet e saj për ndryshimet në lidhje me listën e kandidatëve.
Propozimi i PS parashikon që qytetarët të votojnë partinë dhe vetëm një kandidat për deputetë. Pra një qytetarë ka të drejtë të votojë, fjala bie, Partinë Socialiste dhe vetëm një kandidat të saj.
Në rast se qytetari voton më shumë se një nga kandidatët e listës së PS, vota nuk i kalon kandidatit por partisë.
Renditja përfundimtare e kandidatëve do të bëhet duke marrë parasysh:
- Renditjen e bërë nga partia
- Votat që kanë marrë nga qytetarët
- Kuotën gjinore
Partia rendit kandidatët dhe mandatet që fiton partia ndahen sipas kësaj liste të partisë.
Që zgjedhësit të fusin një person që është më poshtë se sa fituesit në renditjen e partisë do të duhet që ai të marrë pëlqime nga votuesit në një masë më të madhe se sa mesatarja e votave për çdo deputet të fituar të partisë, pra një numër më të madh se sa numri që del nga pjesëtimi i votave që ka marrë partia me numrin e deputetëve që ka fituar partia me këto vota.
Nëse ka një person që ka marrë kaq shumë vota, ai zëvendëson të fundit në listën e partisë që merr mandat, e kështu me radhë.
Le të marim një shembull. Nëse partia ka marrë 100 vota dhe me to ka fituar pesë mandate, këto vende i shkojnë pesë të parëve të listës së partisë.
Nëse një person i renditur më poshtë se i pesti në listën e partisë ka marrë më shumë se sa 20 pëlqime nga votuesit (100 vota të partisë pjestuar me pesë mandatet e fituara) ai zëvendëson të fundit nga fituesit, pra të pestin e listës së partisë, ndërsa katër të tjerët mbeten ata të renditur nga partia.
Nëse ka dy persona që kanë marrë më shumë se 20 pëlqime secili, ata zëvendësojnë të pestin dhe të katërtin në listën e partisë e kështu me rradhë.
Duke qenë se çdo votues mund të shprehë pëlqimin për vetëm një njeri, kjo metodë praktikisht e bën të pamundur ndryshimin e renditjes së partisë, në rastin më të mirë mund të fusë ndonjë kandidat shumë popullor mes votuesve.
Praktikisht ky sistem është sistem me lista të mbyllura. Ai krijon vetëm një mundësi të vogël që ndonjë ndonjë kandidat shumë popullor që nuk behet dot deputet sipas renditjes së partisë të bëhet duke zëvendësuar fituesin e fundit nga lista e partisë.
Për shembull, në rastin e Gjirokastrës, PD ka marrë në zgjedhjet e fundit vetëm një kandidat. Që këtë mandat ta marrë jo i pari në listën e partisë por një i renditur më poshtë nga partia do të duhet që ai të marrë më shumë pëlqime edhe se sa partia që në fakt është teorikisht e pamundur pasi nuk mund të votosh për një parti dhe një kandidat të një partie tjetër.
E njejta gjë është e vërtetë për PD-në në Berat dhe PS-në në Kukës—e pamundur që deputet të bëhet tjetër kush nga ai i pari në listën e partisë pasi duhet të marrë më shumë se votat e partisë.
Sa për ilustrim, nisur nga rezultatet e zgjedhjeve 2017, që të thyesh renditjen e partisë në Berat do të duhet që:
Kandidatët e PD-së të marrin pëlqime më shumë se votat që ka marrë e PD-ja.
Kandidatët e LSI-së të marrin më shumë se 50% e votave të LSI-së.
Kandidatë e PS-së duhet të marrin më shumë se 25% e totalit të votave që ka marrë PS.
E njejtja gjë është e vërtetë edhe në shumë zona të tjera.
Si përfundim propozimi i PS-së është në thelb propozim me lista të mbyllura.