Situata elektorale e Kosovës, Kurti, Mustafa, Osmani dhe të tjerët

Nga Ermal Mulosmani
Situata elektorale e Kosovës, Kurti, Mustafa, Osmani dhe të tjerët

Brenda dy muajsh Kosova do të shkojë në zgjedhje.

Zgjedhjet e Tetorit 2019, të fituara ndjeshëm nga koalicioni VV-LDK, rezultuan joefikase për të prodhuar një qeveri stabile që mund të merrte vendime të forta e kurajoze për të ardhmen e Kosovës siç u shpresua në fillim.

Por të kthehemi vetëm për pak në pragzgjedhjet e 2019-ës, në gusht. Më poshtë po jap një situatë paraelektorale të Partive kosovare në këto zgjedhje.

1.Isa Mustafa dhe LDK

LDK e Isa Mustafës e kishte kaluar krizën e fortë të 2017-ës kur pas rrëzimit të qeverisë Mustafa, në koalicion me Behgjet Pacollin dhe Mimoza Kusari Lilën, dolën vetëm të tretët me rreth 185 mijë vota.

Lëvizja Vetëvendosje, ato zgjedhje doli e dyta me pak më shumë së 200 mijë vota.

Koalicioni PAN mori “fitoren e Pirros” me pak më shumë se 245 mijë vota. Atë ditë u mor vesh që trendi rritës i Vetvendosjes nuk ka të ndalur.

Por çfarë kishte ndodhur me LDK-në, sa ishte rezultati i vërtetë i saj në ato zgjedhje?

Partia e Isa Mustafës e kamufloi rezultatin e vërtetë me tre komponentë të rëndësishëm. Ishin Vjosa Osmani, Behgjet Pacolli dhe Mimoza Kusari. Një votues që preferonte Vjosa Osmanin e 2017-ës sigurisht ishte kundërshtar i Isa Mustafës pasi konfliktet e atëkohshme mes tyre ishin në kulm.

Vjosa Osmani kishte kundërshtuar zgjedhjen e Hashim Thaçit –President përkundër votës pro të Mustafës dhe ishte kthyer në një pol më vete në LDK. Isa Mustafa u tregua mjaft dinak. Kur bëri listat e 2017-ës e degdisi Vjosën në fund të listës, diku në numrin 92 nga 100 të mundshëm.

Nëse Vjosa kishte arritur të ketë ndikim ky do të ishte testi. Por njëkohësisht i fituar dilte edhe Mustafa pasi për të votuar Osmanin duhej më parë të votoje partinë kështu që nuk kishte të humbur.

Rezultati dihet tashmë, Vjosa rezultoi personi i dytë më i votuar i listës pas Hotit-kryesues.

Ndërkohë nja 20-30 mijë votues erdhën nga Pacolli dhe Kusari Lila që e shpëtuan fytyrën e Isa Mustafës.

Qeverisja e PAN-it bëri të harroheshin mëkatet e Mustafës. Në prag të zgjedhjeve 2019 mes Isa Mustafës dhe grupit të të rinjve (Osmani, Abdixhiku, Shala, Gashi) dukej sikur ishte vënë një farë paqeje-kompromis me dy fitues; nga njëra anë Mustafa Kryetar Partie nga ana tjetër Vjosa kandidate për Kryeministre.

Ky kompromis bëri që të rritej optimizmi në elektoratin e LDK-së. Kurrë nuk ishin parë më të harmonizuar interesat dhe më të përmbledhur votuesit. Shpresa për ndryshim dhe kurajoja politike shihej te grupi i Vjosës, konservatorët kishin Mustafën. Kjo ishte edhe arsyeja pse LDK printe në sondazhet parazgjedhore. Vetëm kjo!

Nuk e jepte këtë shpresë asnjëri prej Kujtim Shalës, Lumirit apo të tjerëve. Statura e tyre intelektuale nuk ishte pjekur në luftë me bajraktarizmin partiak, ata ishin partiakë të nënshtruar të vijës së shumicës. Rrinin si me thënë larg telasheve, në zonën e komfortit.

Të gjithë njerëzit jomilitantë partiakë, që dëshironin ndryshimin e qeverisjes, luftën e korrupsionit por edhe garancinë që buron nga përvoja e një subjekti të provuar iu bashkua elektoratit tradicional konservator të kësaj Partie. Ishte një bashkim interesash që i shërbente më së shumti Isa Mustafës. Por edhe Osmanit.

Ky ishte momenti i sondazhit të Gusht-Shtatorit 2019 që e nxori në vend të parë LDK-në.
Albin Kurti kapi pikën e dobët të këtij koalicioni, mosbesimin reciprok dhe i mëshoi suksesshëm gjatë fushatës elektorale këtij argument. “Ju do votoni Vjosën e në fund do të vendosë Isa” ishte refreni profetik që u vërtetua të nesërmen e zgjedhjeve dhe që rezuloi edhe në ndryshimin e fituesit nga LDK në VV.
Tani situatë është më e qartë.

Vërtetimi i tezës së Kurtit se “Ju votoni Vjosën por vendimet i merr Isa” transferoi në mënyrë të konsiderueshme atë pjesë të elektoratit që shpresonte te Vjosa në drejtim të Vetvendosje! Tashmë ata votues nuk i ka në dorë as Vjosa e as Mustafa, ata i ka marrë Kurti.

Vjosa për shkak të dështimit në aftësinë për të mundur Mustafën brenda partisë e ka humbur ndikimin edhe në LDK por edhe në VV.

Ajo tashmë është në luftë për të mbijetuar me një listë që më shumë rrit kualitetin e kandidatëve të Kurtit sesa i bën punë asaj vetë.

LDK tani është në situatën e 2017-ës kur ra qeveria e Mustafës. Ata nuk mund të mashtrojnë më njeri, do marrin thjeshtë votat e tyre historike, rreth 140-150 mijë vota, jo më pak. Ky fakt nuk është për asnjë keqardhje më. Isa Mustafa zgjodhi të refuzojë ata votues që shpresuan në një LDK të re, kundërshtare e AAK, Nisma e PDK. Për asnjë arsye qoftë kjo edhe në emër të interesave të Kosovës. Ato vota i transferoi me dëshirë të Kurti duke shtuar ndjeshëm diferencën.

2.Vjosa Osmani

Vjosa Osmani është e dëshpëruar pasi e ndjen se është e humbura e madhe në këtë histori. Ajo nuk i ka në dorë më ato vota që i kishte në 2017-ën (65 mijë). Naiviteti i prirjes së listës pa qenë Kryetare Partie e defaktorizoi.

Vizita provokuese në Tiranë ku preku tema të nxehta dhe mjaft të diskututeshme si Minishengeni apo taksa e rrugës ishte një tregues i nervozitetit të saj.

Nëse brenda një vizite protokollare siç ishte ajo vizitë do të fuste vetëm thënien: “Shqipëria nuk duhet ta ketë preokupim sesi me ia shpëtue fytyrën Serbisë”, do të mjaftonte për të ruajtur masën dhe thënë aq sa duhet.

Gjithçka tjetër ishte e tepruar.

Por e mirëkuptoj. Është nervoze dhe patetike. Nervoze sepse nuk po kontrollon dot humbjen e ndikimit politik, patetike prej natyre. Vajtje ardhjet te varri i Rugovës, loja me flamuj të Dardanisë e zaptimi i rugovizmit në vend të shtetformimit po e dëmtojnë. Njerëzit nuk kanë nevojë më për mite por për shtet dhe shtetarë.

3. Albin Kurti dhe Vetvendosje!

Nga gjithë kjo histori, i fituari i madh është Albin Kurti. Qysh nga dita kur qeveria e tij ra ai mori pushime të gjata, pse jo edhe politike.

Ndonjë status në FB, ndonjë aktivitet online si të ishte mbi politikën ai çdo ditë korr vota pa pikë mundimi.

Votuesit e Kosovës u bënë dëshmitarë të tradhtisë që bëri LDK. Vetëm 5 muaj më parë. përfaqësuesit e LDK-së bërtisnin “Kurrë koalicion me kapësit e shtetit” dhe me këtë kauzë morën votat e një votuesi anti-PAN… Pas 5 muajsh ata e tradhëtuan kauzën e fushatës në emër të “interesave madhorë të shtetit”. Fajtorë u shpallën fituesit, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani!

Mirëpo votuesit e 6 tetorit nuk janë budallenj. Trafikimi i votës së tyre nga Isa Mustafa do të marrë shpagim në këto zgjedhje.

Albin Kurti, sipas meje do arrijë të bashkojë votat e 2019-ës me të zhgënjyerit e qeverisë dhe do të kapë minimum një shifër prej 270-280 mijë votues që përkthehet me afërsisht 40 deputetë.

Ekspansioni i tyre do të arrihet në kurriz të LDK, AAK, NISMA dhe AKR (Pacolli).

4. PDK, AAK, Nisma e të tjerët

Ish Partia e Hashim Thaçit nuk ka asnjë arsye për një rënie elektorati. Ajo është e përqendruar kryesisht në zonat rurale dhe ka prekur minimumin historik në zgjedhjet e 2019-ës.

Rënia për arsye të pushtetit është frenuar nga nisma e Kryetarit të saj për të mos u bashkuar me qeverinë Hoti. Nga ana tjetër, arrestimi i liderëve historikë do të përkthehet në votë solidariteti.

Një koalicion me Nisma-n do të bëjë që ata të kapërcejnë shifrën e 200 mijë votuesve padiskutim. Me rënie parashikoj se do jetë partia e Haradinajt që mori maksimumin edhe për arsye të qënies në krye të Qeverisë në 2017-ën.

5. Çfarë parashikohet të ndodhë nga këto kushte?

Fitorja e Albin Kurtit në këto zgjedhje nuk ka më diskutim as mes kundërshtarëve të tij, diskutohet vetëm numri i deputetëve.

Por, ngërçi do të vijë për krijimin e shumicës qeverisëse dhe sidomos për zgjedhjen e Presidentit.

Nëse pengesa e Qeverisë mund të kalohet me një bashkëpunim i Kurtit me Haradinajt, pengesa e Presidentit do të jetë e pakalueshme.

Për të zgjedhur Presidentin duhet të jenë në sallë 80 deputetë nga 120 gjithsej.

Nëse Vetevendosje arrin të marrë mbi 40 deputetë atëherë ajo ka pakicën bllokuese dhe pengon çdo zgjidhje pa të. Sistemi futet në kolaps dhe shkohet përsëri në zgjedhje ose arrihet një koalicion VV-PDK e cila bashkë me pakicat mundet të tejkalojë krizën.

Kjo gjë mendoj se edhe do të ndodhë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>