Situata para zgjedhjeve në Kosovë, mundësia për koalicione

Nga Exit News
Situata para zgjedhjeve në Kosovë, mundësia për koalicione

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë do të mbahen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli votën e deputetit Etem Arifi për qeverinë Hoti të pavlefshme.

Vota e tij ishte vendimtare në formimin e qeverisë aktuale, i cili mori vetëm 61 vota në parlamentin me 120 vende, numri minimal i votave të kërkuara.

Qeveria Hoti u formua pas rrëzimit të qeverisë Kurti. LVV doli partia e parë në zgjedhjet që u mbajtën në Kosovë në tetor 2019. Por koalicioni mes LVV dhe LDK nuk rezistoi, e për pasojë qeveria Kurti u rrëzua në parlament me 82 vota.

Qeveria e re e Hotit, u formua me anë të koalicionit mes LDK, AAK, Nisma, parti të pakicave si edhe listën serbe.

Të hënën është thirrur një seancë e jashtëzakonshme për të votuar ligjin për buxhetin e  2021 dhe ligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare dhe më pas pritet shpërndarja e Parlamentit.

Presidentja në Detyrë Vjosa Osmani ka mbajtur disa takime për të folur mbi datën e zgjedhjeve me partitë përkatëse.

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, ka propozuar datën 7 shkurt për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen në Kosovë.

Partia Demokratike e Kosovës kërkoi, të martën, fundin e janarit si periudhë për të mbajtur zgjedhjet e parakohshme.

Deri më tani PDK ka zgjedhur Enver Hoxhajn kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti tha se partia e tij, LDK, është më e favorizuara për të fituar zgjedhjet.

Lëvizja Vetëvendosje pret të fitojë 60 deputetë në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në Kosovë.

Sondazhi që ka publikuar deputeti i VV, nxjerr VV-në fituese me 55 deputetë, e ndjekur nga PDK-ja me 19, LDK-ja me 18 e AAK-ja me 8.

Ndërkohë krahas këtyre deklaratave dhe idesë për fitore, partitë janë duke menduar edhe mundësitë për koalicione me njëra tjetrën.

PDK është shprehur e hapur për koalicione, por thotë se ka disa kushte.

“Në koalicionin me Nismën apo koalicion me çfarëdo partie tjetër, mund ta diskutojmë, mirëpo gjithnjë duke konsideruar se PDK ka një subjektivitet të saj të cilin e ruan dhe për këtë kohë, asnjë lloj vendimi nuk e kemi në atë drejtim. Natyrisht partitë që kanë dëshirë të flasin me PDK, jemi të hapur”, tha Uran Ismaili, sekretar Organizativ në PDK.

Ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje ka mohuar një mundësi koalicioni me PDK.

Përfaqësuesja e LVV Albulena Haxhiu, pohoi se s’do të ketë koalicion me PDK, ashtu siç u përfol. Ajo tha se qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje është e pashmangshme.

Nisma SocialDemokrate ka thënë për mediat e Kosovës se nuk do të shkrihet asnjëherë me ndonjë subjekt tjetër politik.

“Nisma mundet, ashtu siç bëjnë të gjitha partitë tjera politike në botë, të bëjë koalicione me subjekte të tjera varësisht nga marrëveshjet”, u shpreh Endrit Shala nga Nisma Socialdemokrate.

Alternativa me në krye Mimoza Kusari Lila, u shpreh e gatshme për koalicion. Ajo tha se do të bashkëpunojë me LVV.

“Bashkëpunimin që e kemi filluar me LVV, besoj pa dyshime do ta vazhdojmë në zgjedhjet e radhës. Kësaj here në një marrëveshje zyrtare në mes të subjekteve, jo të individëve, do të thotë jo unë si kandidate për deputete bashkë me një përfaqësues të Alternativës por si subjekte politike”, tha Mimoza Kusari-Lila, kryetare e Alternativës.

Edhe AKR e Behgjet Pacollit ka shprehur gadishmërinë për koalicion me LVV.

Por Vetëvendosja nuk e ka pranuar, duke u shprehur se është herët për të folur për koalicione.

“Deri më tani nuk kemi hapur tema për koalicione parazgjedhore. Rrjedhimisht nuk kemi qëndrim akoma për këtë çështje”, tha Artan Abrashi nga VV.

Kështu kanë deklaruar përfaqësuesit e partive kryesore në Kosovë. Situata në të cilën do të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme në Kosove ndryshon shumë nga ajo e zgjedhjeve të fundit.

Ish presidenti Hashim Thaci për shkak se është duke u gjykuar në Hagë, ka dhënë dorëheqjen dhe nuk është më në këtë post. Ndërkohë në SHBA, ish presidenti Donalt Trump humbi zgjedhjet dhe i dërgouari i Posacëm Richard Grenell do të zëvendësohet. Të gjitha këto bëjnë që zgjedhjet e reja në Kosovë të zhvillohen në rrethana të ndryshme nga ato të fundit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>