Skandali i DSIK konfirmon paralajmërimin e opozitës për reformën në drejtësi

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Skandali i DSIK konfirmon paralajmërimin e opozitës për reformën në drejtësi

Drejtoria e Sigurimit të Informacioneve të Klasifikuara (DSIK) është përfshirë së fundmi në një skandal, pasi pajisi brenda 24 orëve me certifikata sigurie Gent Cakajn, të propozuarin e Kryeministrit Rama për ministër të Jashtëm.

Në letrën e refuzimit të propozimit, Presidenti Meta zbuloi se jo vetëm që DSIK-ja nuk ka bërë “një proces të mirëfilltë verifikimi, sipas kushteve, detyrimeve, kritereve dhe procedurës së parashikuar”, por edhe se zoti Cakaj nuk ishte pajisur me certifikatat e sigurisë gjatë kohës që shërbente si zëvendësministër i për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Këto certifikata sigurie i japin zotit Cakaj akses në informacione të klasifikuara në nivel kombëtar, të BE-së dhe të NATO-s. Për këtë arsye, Presidenti Meta kërkoi tre ditë më parë, ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për hetimin e veprimtarisë së DSIK-së, drejtori i së cilës emërohet nga Kryeministri.

Megjithatë roli i DSIK është shumë më i gjerë sesa thjesht dhënia e certifikatave të sigurisë. DSIK është një nga institucionet kyçe në reformën në drejtësi, pasi i jep informacion Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK). Në procesin e vetingut, DSIK është përgjegjëse për hartimin e një raporti vlerësimi për pastërtinë e figurës së magjistratëve – pra, nëse magjistrati ka pasur ndonjë kontakt “të pahijshëm” me krimin e organizuar. Bashkë me raportin e pasurisë së ILDKPKI-së, raporti i DSIK-së përbën bazën e procesit të vetingut që kryhet nga KPK-ja.

Në tetor 2016, Partia Demokratike e kundërshtoi përfshirjen e DSIK-së në procesin e vetingut, duke sqaruar se për sa kohë DSIK është nën varësinë direkte të Kryeministrit, përfshirja e saj në veting kërcënon pavarësinë e procesit. Për më tepër, DSIK mund të nxjerrë edhe informacione të klasifikuara për magjistratët, që nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur nga organet e vetingut.

Duke e konsideruar këtë një shkelje të Kushtetutës, PD e ankimoi Ligjin e Vetingut në Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese e dërgoi më pas ligjin për shqyrtim tek Komisioni i Venecias.

Sipas PD-së, “përfshirja e këtyre institucioneve qeveritare [si DSIK] në procesin e vetingut, bie ndesh me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe me pavarësinë e sistemit gjyqësor.

Duke pranuar shqetësimet e opozitës, Komisioni i Venecias në opinion e tij miqësor për Gjykatën Kushtetuese, kufizoi përdorimin e informacionit të klasifikuar për të shkarkuar magjistratët:

“Sidoqoftë mbetet shqetësimi se në rrethana të caktuara, sipas Nenit 39 (2) për vlerësimin e figurës, informacioni i mbledhur si rezultat i kontrollit të figurës “nuk duhet të zbulohet, nëse rrezikon sigurinë e burimit, ose është rezultat i një informacioni nga një qeveri e huaj”. Në këtë rast, institucionet e rivlerësimit mund të mos kenë mundësinë e rivlerësimit të pavarur dhe do të mund të mbështeteshin vetëm në vlerësimin e bërë nga Drejtoria e Sigurimit të Informacioneve të Klasifikuara (DSIK). Kështu, rregulli i ndalimit të zbulimit të informacionit mund të jetë i mundur vetëm nëse informacioni në fjalë është i favorshëm për vlerësuesin.”

dhe

“Sipas Komisionit të Venecias, organet e tjera si [ILDKPKI] ose [DSIK], të cilat janë të përfshirë në procesin e vetingut, duket se kanë funksione të dobishme dhe ndihmojnë institucionet e reja për të kryer punën e tyre të vështirë. Fuqia e vendimmarrjes në të gjitha rastet duket të mbetet tek Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe tek Kolegji i Apelimit, të themeluara për këtë qëllim në përputhje me dispozitat e Kushtetutës si organe gjyqësore të pavarura dhe të paanshme.”

Shqetësimet e opozitës lidhur me DSIK duket se konfirmohen nga ngjarjet e fundit. Jo vetëm që DSIK veproi nën urdhrin e Kryeministrit për t’i siguruar zotit Cakaj certifikata sigurie pa ndjekur procedurën ligjore, por ajo edhe lejoi që ai të ishte zëvendësministër për shtatë muaj pa pasur certifikatat e nevojshme. Në të dyja rastet, DSIK duket të ketë ndjekur urdhrat politik, pa pasur në mendje ruajtjen e sigurisë së vendit dhe aleatëve në NATO.

Tani që është vërtetuar se DSIK është e politizuar dhe nuk mund të jetë një arbitër neutral i besueshëm, pyetja është sa e dëmton kjo procesin e vetingut, i cili mbështetet shumë në vlerësimin e pastërtisë së figurës që bën DSIK-ja.

Sa gjyqtarë dhe prokurorë janë shkarkuar në bazë të vlerësimit të figurës së tyre? Dhe, ç’është akoma më shqetësuese, sa janë konfirmuar pasi në vlerësimin e figures së tyre kanë munguar informacione vendimtare, të fshehura për arsye politike?

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>