Gjashtë orë përpara përfundimit të afatit të votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar njoftimin e rezultateve të votimit, duke ngjallur dyshime serioze për manipulim të parapërgatitur zgjedhor.
Përmes grafikëve të botuar në faqen e KQZ rreth orës 11 të peradites së sotme, njoftohet se janë numëruar 18 kuti, nga 21 në total, për Bashkinë Mirditë.
Nga ky rezultat “paraprak”, KQZ njofton se kandidati socialist në Mirditë, Ndrec Dedaj është në avantazh me 60 për qind të votave ndaj kandidatit të pavarur Gjon Ndoj me 40 për qind të votave.
Ky rezultat “paraprak” është korrigjuar menjëherë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i cili ka rifreskuar informacionin në faqen zyrtare për rezultatet e votimeve në Mirditë.
Exit.al bëri një regjistrim live të faqes së KQZ-së teksa “korrigjon” rezultatet e dhëna pak më parë.
Në video shihet (sipas sekondazhit) se si:
0’00”: KQZ raporton rezultatet për Mirditën
0’11”: Rifreskohet informacioni
1’09”: Faqja e “korrigjuar”
Ndërkohë KQZ reagoi lidhur me akuzat duke i përgënjeshtruar me argumentin se po testonte faqen gjatë kohës së procesit të votimit.