Ka dështuar seanca e sotme e marrjes në pyetje të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe drejtorit të Policisë së shtetit Haki Çako në Komisionin e Sigurisë për çështjen e pajisjes së përgjimit.
Zoti Tahiri dhe Zoti Çako nuk iu përgjigj asnjë prej pyetjeve të Komisionit, të bëra kryesisht nga kreu i komisionit Flamur Noka dhe deputeti Dogjani.
E vetmja përgjigje e Ministrit Tahiri ishte:
“Me gjithë respektin, drejtohuni Prokurorisë. Kjo është përgjigja ime për këtë pyetje dhe për të gjitha pyetjet që vijnë pas kësaj. Unë nuk kam shumë kohë të humbas me komentet që keni për të bërë dhe me politikën tuaj të ditës. Kam shumë punë.”
Ndërsa Zoti Haki Çako deklaroi se:
“Të gjitha pyetjet dhe sqarimet për këtë çështje janë në Prokurori.”
Ministri Tahiri dhe Zoti Çako i janë përgjigjur pyetjeve të Komisionit edhe në maj 2016, ku që të dy mohuan që Policia e Shtetit të ketë përdorur pajisje për të kryer përgjim të telekomunikimit.