Skavica: Përgënjeshtrim i gënjeshtërt i qeverisë? – Koment

Skavica: Përgënjeshtrim i gënjeshtërt i qeverisë? – Koment

Qeveria ka vendosur t’i japë një bashkimi kompanish turke një bonus prej 8 përqind të pikëve në garën që do të hapet për konçensionin e ndërtimit të hidrocentralit të Katundit të Ri në rrjedhën e sipërme të Drinit të Zi në zonën e Dibrës.

Vendimi ka ngjallur kritika e kundërshti, në rradhë të parë nga opozita, e cila e ka akuzuar qeverinë për marrëveshje klienteliste me dy kompanitë turke.

Qeveria është kundërpërgjigjur, ndër të tjera, me një sqarim zyrtar të botuar në faqen qeveritare transparenca.al.

Por, ky sqarim duket i mangët pasi nuk jep përgjigje për disa nga akuzat kryesore që i janë bërë qeverisë. Sqarimi, gjithashtu, ngre një sërë pyetjesh të reja duke shtuar dyshimet për qasje klienteliste nga ana e qeverisë.

Pas një përshkrimi të shkurtër të kontekstit të investimit, Exit ofron më poshtë komentet mbi tre pikat kryesore të sqarimit të qeverisë.

Konteksti

Hidrocentrali që duhet të ndërtohet mbi Drinin e Zi pranë në Skavicës së Dibrës nuk ka qëllim thjesht prodhimin e energjisë, por mbi të gjitha, përmes liqenit që do të krijohet, ai do të shërbejë si rregullator i prurjeve të ujit në të gjithë kaskadën e Drinit—liqenet e Fierzës, Komanit, Vaut të Dejës dhe Ashtës—duke i furnizuar me ujë gjatë periudhave të thatësirave dhe shmangur përmbytjet në zonën e nën Shkodrës dhe Lezhës, në periudhat me shumë rreshje.

Për hidrocentralin e Skavicës kanë ekzistuar tre projekt-ide. Dy variantet e para parashikojnë ndërtimin e një hidrocentrali të vetëm me kapacitet 450 MW ose 350 MW dhe liqen respektivisht sa dyfishi i atij të Fierzës dhe afërsisht sa ai i Fierzës. Varianti i parë kërkon marrëveshje me Maqedoninë, pasi liqeni duhet të shtrihet edhe në territorin maqedonas. Varianti i tretë parashikon ndërtimin e dy hidrocentraleve me kapacitet në total nën 200 MW dhe një liqen relativisht të vogël, që nuk kryen dot funksionin rregullator të kaskadës së Drinit. Qeveria ka vendosur të zgjedhë pikërisht këtë variant të fundit, duke dhënë vetëm një arsyetim të përgjithshëm në sqarimin në transparenca.al.

1. Përzgjedhja e projekt-variantit që do të zbatohet

Qeveria sqaron:

“Referuar studimeve, në rastin konkret të Drinit të Zi, ka disa opsione por më i përshtatshmi dhe me më pak kosto mjedisore e sociale rekomandon që mbi këtë lum të ndërtohen 2 hidrocentrale dhe konkretisht hidrocentrali i Skavicës (HEC Skavica) dhe ai i Katundit të Ri (HEC Katund i Ri).”

Pyetjet që lindin:

Çfarë do të thotë “më i përshtatshmi”? Çfarë studimesh për ndikimin social dhe mjedisor ka përdorur qeveria dhe kur dhe nga kush janë bërë këto studime? Pse vendimi është marrë mbi bazën e kostove mjedisore e sociale dhe jo kostot e përfitimet totale, mbi të gjitha përfitimet ekonomike për vendin të investimit? Pra, pse nuk është bërë analiza kosto-përfitim, e cila është proçedura standarte në çdo vend të botës për përzgjedhjen e alternative që zbatohen në investimet në infrastrukturë? Cili institucion dhe me çfarë proçedure e ka marrë vendimin për përzgjedhjen e këtij varianti? Kur është marrë ky vendim? Pse nuk është bërë publik ky vendim në momentin që është marrë?

Koment:

Kostot sociale të një projekti të tillë përballohen të gjitha nga investitori. Me përjashtim të kostos psikologjike apo sentimentale që lidhet me shpërnguljen nga vendbanimi, të gjitha kostot e tjera— përfshi koston e shpronësimit të banesave, të tokës, koston e prishjes së infrasturkturës fizike dhe të shërbimeve, të humbjes së gjësë së gjallë, të humbjes së burimit të të ardhurave, etj— janë kosto që kompensohen nga investitori sipas standarteve ndërkombëtare. E njëjta gjë është e vërtetë edhe për kompensimin dhe zbutjen e efekteve mjedisore të investimit.

Kjo praktikë nuk është e re në Shqipëri pasi, aktualisht, është duke u zbatuar në rastin e hidrocentralit të Devollit, ku investitori—kompania shtetërore norvegjeze Statcraft, kompania më e madhe në Europë në fushën e prodhimit të enegjisë nga hidrocentralet—po përballon të gjitha kostot sociale dhe mjedisore.

Nëse qeveria ka vendosur për variantin e tretë, i cili nuk i shërben qëllimeve strategjike të zhvillimit ekonomik të vendit, sikurse thotë për shkak të kostove më të ulta sociale dhe mjedisore, ajo është duke favorizuar investitorin dhe jo interesin e vendit. Nëse ky vendim është marrë pas negociatave me kompanitë turke, ai është veprim klientelist. Kjo gjë mund të ketë shumë gjasa të jetë e vërtetë, pasi Ministri Gjiknuri në disa intervista në vitin 2014 është shprehur se hidrocentrali i Skavicës do të jetë një dhe do të ketë kapacitet 350 MW, ndërkohë që as ai dhe askush tjetër nga qeveria nuk ka përmendur asnjëherë më parë variantin që kanë vendosur së bashku me kompanitë turke.

2. Oferta e kompanive turke

Qeveria sqaron:

“Bashkimi i shoqërive “Suzer Group” dhe “Nurol Holding”, në një proçes krejtësisht transparent dhe ligjor, ka shfaqur interesim për ndërtimin e HEC Katund i Ri.”

Pyetjet që lindin:

Çfarë do të thotë “interesim”? Përmes çfarë proçesi e kanë shprehur kompanitë turke interesimin? Çfarë quan proçes transparent qeveria kur nuk është bërë asgjë publike nga propozimi i tyre? A ka negociuar ndonjë anëtar i qeverisë me kompanitë turke apo ka patur takime me ta? A ka patur kompani të tjera që kanë shprehur interesim? Nëse po, cilat janë këto kompani? Pse nuk u vlerësua interesimi i tyre?

Koment:

Në vite, por edhe gjatë qeverisjes Rama, ka patur vazhdimisht interesim për Skavicën. Në një tendër të hapur për këtë gjë nga qeveria Berisha u paraqitën 6 konsorciume të interesuara, pavarësisht se kompania fituese u tërhoq para se të nënshkruante kontratën. Gjatë qeverisë Rama ka patur të paktën një kompani tjetër që ka shprehur interes për Skavicën, kompania Power China. Madje në vitin 2014, Zoti Gjiknuri në një intervistë për Radion China International deklaroi se qeveria ishte duke negociuar me kompaninë Power China për Skavicën. Qeveria, sikurse për rastin e kompanive turke, nuk sqaroi asnjëherë asnjë gjë në lidhje me këto diskutime apo me propozimet që kishte marrë nga Power China.

Mbi të gjitha, fakti që ka patur një tender të mëparshëm dhe interesim nga kompani të tjera, rrëzon mundësinë që propozimi i kompanive turke të trajtohet si “propozim i pa kërkuar” sipas ligjit të konçensioneve, siç e ka trajtuar qeveria. Në kuptimin e ligjit, “propozim i pa kërkuar” është ai që i ofrohet qeverisë, kur ajo nuk ka shprehuar asnjë interes dhe nuk ka bërë studime në lidhje me investimin që propozohet.

3. Arsyeja e përzgjedhjes së kompanive turke

Qeveria sqaron:

“Në rastin e HEC Katund i Ri, qeveria ka përcaktuar të mos ketë më sanksionim të detyrimit paraprak të shtetit për të garantuar blerjen e energjisë. Kjo nënkupton se investimi për këtë vepër do të jetë plotësisht privat dhe investitori do duhet të marrë përsipër të gjejë tregun për energjinë e prodhuar. Nga të gjithë investitorët e interesuar për HEC-et në Drinin e Zi, bashkimi i “Suzer Group” dhe “Nurol Holding” ishin të vetmit që parashikonin këtë element.”

Pyetjet që lindin:

Cilët janë investitorët e tjerë interesuar? Cilët investitorë nuk preferuan që ta shisnin vetë energjinë por donin kontratë blerje nga qeveria me çmime të rregulluara?

Koment:

Justifikimi i qeverisë në lidhje me mos dhënien e garancisë së blerjes nga qeveria është krejtësisht i gënjeshtërt. Së pari, qeveria Rama nuk ka vendosur asgjë të re pasi kështu ka qenë përherë. Asnjë qeveri nuk ka garantuar ndonjëherë deri më sot blerjen e energjisë për asnjë hidrocentral të mesëm e të madh. Kjo nuk është as politikë e re, as përcaktim i ri i qeverisë Rama. Së dyti, mosgarantimi i blerjes, që supozon edhe rregullimin e çmimit të blerjes nga qeveria, është në interesin e investitorit dhe jo të qeverisë. Investitorët e mëdhenj preferojnë ta shesin energjinë ku të duan duke përfituar nga çmime më të të larta në tregun ndërkombëtar, sidomos në periudhë të kërkesës së lartë, se sa t’ja shesin qeverisë me çmime të përcaktuara paraprakisht dhe përgjithësisht nën çmimet e tregut ndërkombëtar. Liria për ta eksportuar energjinë që prodhojnë ështe një nga kushtet kyresore, për shëmbull, që vuri investitori që po ndërton hidrocentralet e Devollit.

Justifikimi i mbështetjes së kompanive turke për këtë arsye të paqenë është banal dhe hile djallëzore e qeverisë që kërkon të shfrytëzojë injorancën e publikut në këto çështje, për të justifikuar një vendim të marrë për arsye të tjera.

 

 

 

 

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>