Skavica – si tregues i kleptonomisë së qeverisë Rama

Nga Geri Selenica
Skavica – si tregues i kleptonomisë së qeverisë Rama

Vendimi i qeverisë për të ndërtur me koncesion hidrocentralin e Katundit të Ri ka ngjallur reagime te ashpra publike, pasi nga tre variante teorike të zhvillimit të Skavicës është zgjedhur varianti minimal me dy hidrocentrale të vogla. Kjo zgjedhje shpërdoron potencialin energjik të Drinit të Zi dhe, më e rëndësishmja, shkatërron mundësinë e ndërtimit të një rezervuari që do të shërbente si regullator i prurjeve për të gjithë hidrocentralet e Kaskadës së Drinit.

Tabela e mëposhtme, ilustron qartë dallimet mes tre alternativave për ndërtimin e veprës hidroenergjitike të Skavicës.

Screenshot 2016-02-07 00.19.39

Ideja fillestare e ndërtimit të një hidrocentrali të vogël në Skavicë ishte e një grupi të fuqishëm siderurgjik Italian, Grupit Tassara, i cili më vonë u shkri me grupin Arcelor-Mittal. Pronari i grupit, Carlo Tassara, kishte aksione të rëndësishme në bankat e industritë kryesore italiane e franceze, si EdF, Intesa Sanpaolo, Mediobanca, Assicurazioni Generali, UBI Banca, Monte dei Paschi di Siena, Telecom Italia, etj.

Tassara e donte energjinë e Skavicës për të furnizuar veprimtarinë e vet industriale në Itali, si dhe investimet indutriale që planifikonte të bënte në Shqipëri. Specialistët e Grupit Tassara, pasi studiuan profesionalisht Skavicën, kuptuan që nuk kishin asnjë interes, si investitorë, të ndërtonin Skavicën e Madhe (485m), pasi varjanti më optimal për ta qe ai i mesëm (445m).

Në vitin 2003, këtë ide, për të cilën inxhinierët më të mirë vendas u ndanë në dy fronte, pro e kundër, ata ia paraqitën Kryeministrit Nano.

Në maj 2005, një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, qeveria Nano i dha me konçesion të formës ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës grupit Italian TGK Skavica srl, në të cilin aksioner kryesor ishte kompania Tassara, e cila më vonë u ble nga Rätia Energie.

Pak muaj më vonë, në pushtet erdhi Kryeministri Berisha i cili e vonoi disa vite zbatimin e këtij konçesioni dhe e ritenderoi në vitin 2008, duke i dhënë bonus kompanisë italiane. Për tenderin shprehën interes 5 kompani të mëdha energjitike, Kepco e Koresë së Jugut, Statkraft e Norvegjisë, Verbund e Austrisë, RWE e Gjermanisë dhe KELAG e Austrisë. Por kriza e 2008-ës e varrosi interesin e çdo investitori për Skavicën.

Në vitin 2009, Banka Botërore financoi 500 mijë euro për realizimin e një studim shumë të përgjithshëm për vlerësimin e potencialin hidroenergjitik të sisa lumenjve shqiptarë. Studimi i kryer nga një firmë këshillimi franceze, Sogreah, e cila bëri vetëm një vizitë disa orëshe në Skavicë, siç ka bërë dhe në lumenjtë e tjerë dhe shfrytëzoi vetëm të dhënat ekzistuese. Në konkluzionet e saj ajo ka dhënë orientime shumë të përgjithshme, që nuk mund të quhen as studim parafizibiliteti. E vetmja vlerë që ka ky studim është që të orientojë studimet të mëtejshme dhe të plota të bëshmërisë.

Në fakt, një projekt i plotë studimor për Skavicën do kushtonte miliona euro, pasi ai kërkon shumë kohë, ekspertizë dhe hetime në terren për t’u realizuar. Prandaj, është skandaloze që qeveria shqiptare merr studimin e firmës Sogreah si bazë për të vlerësuar opsionet e ndryshme investuese në Skavicë.

Fatkeqësisht, qeveritë shqiptare, pas vitit 2003, i kanë marrë vendimet për Skavicën mbi bazën e “propozimeve të pakërkuara” të firmave të huaja, të cilat janë krejtësisht në favor dhe për interes të tyre. Ato kanë injoruar tërëssiht studimet voluminoze dhjetra vjeçare të qindra inxhinierëve shqiptarë e të huaj, të cilat përjashtojnë krejtësisht opsionin e hidrocentraleve të vogla, përfshi atë të Katundit të Ri.

Nga ana tjetër asnjë qeveri shqiptare nuk ka tentuar ndonjëherë të vlerësojë seriozisht teknikisht, ekonomikisht dhe politikisht Skavicën, në bazë të interesit kombëtar. Edhe pse qeveria Rama flet për kosto sociale dhe mjedisore, e vërteta është se nuk ekziston asnjë vlerësim apo studim mjedisor dhe social, e aq më pak një studim i plotë kosto-përfitim, i cili është standarti më themelor i çdo qeverie për vendimarrjen në lidhje me vepra publike dhe investime.

Vendimi i qeverisë Rama për të zbatuar variantin minimal të Skavicës është vendim i marrë në ajër, pa asnjë studim, pa asnjë vlerësim, pa asnjë proçedurë minimale vendim-marrje. Vendimi bazohet tërësisht në propozimet siperfaqësore dhe konceptet minimale teknike të dy firmave turke, pa asnjë përvojë domethënëse në fushën e ndërtimit të hidrocentraleve dhe të energjisë, në përgjithësi. Për këtë arsye, ai është vendim që reflekton vetëm interesat e kompanive turke dhe dëmton interesin tonë kombëtar.

Nga ana tjetër, ky vendim është marrë duke injoruar mundësinë apo interesin e kompanive serioze botërore në fushën e energjisë, disa prej të cilave kanë shprehur në të shkuarën interes për Skavicën, sikurse është paraqitur në tabelën e mëposhtme.

Screenshot 2016-02-07 00.17.33

Sikurse, u theksua më lart, asnjë qeveri nuk ka bërë transparencë me publikun për përfitimet e tre varianteve të Skavicës dhe ndikimin e tyre socio-ekonomik dhe mjedisor. Qeveria Rama gënjen kur thotë që versioni i tretë kushton më pak dhe ka ndikim social më të vogël se Skavica e Mesme. Skavica e Mesme përmbyt vetëm disa pjesë të pabanuara për më tepër, por nga pikëpamja e zhvendosjes së popullsisë dhe përmbytjes së tokave pjellore është identik me versionin Sogreah me dy diga.

Atëhere pse qeveria preferon versionin me dy diga? Pse qeveria nuk e ftoi për bisedime përsëri konsorciumin TGK Skavica, i cili përbëhet nga industrialistët më të fuqishëm të Europës dhe qeveria Zvicerane? Apo kompanitë e tjera që ishin interesuar më parë? Në kaq vizita turistiko-politike-artistike, që ka bërë kryeministri Rama në SHBA, Gjermani, Austri, Itali, Francë, pse nuk e ka ngritur kurrë çështjen Skavica tek investitorët e këtyre vendeve, por vetëm në Stamboll?

Përgjigja e këtyre pyetjeve është shumë e thjeshtë: vetëm që të favorizojë projektin turk të Katundit të Ri.

Dekurajimi i investitorëve të mëdhenj për Skavicën, fshehja e ofertave për financimin e Skavicës së Madhe dhe favorizimi i një firme “mike” pa eksperiencë, natyrisht do të qe veprim korruptiv me pasoja të kufizuara nëse do të flitej për të njejtën vepër.

Por, katandisja e një vepre gjigande në 583 herë më pak të rezervës së saj ujore, shkaktimi i humbjeve 10 herë më të mëdha energjitike, me dëm ekonomik 100 milionë euro çdo vit, është një krim inxhinieriko-ekonomik i pariparueshëm në breza dhe i përmasave të rënda kombëtare.

Në listën e udhëheqësve që e kanë grabitur apo dëmtuar Shqipërinë, Edi Rama do të kujtohet si ai më banali, por me pasojat më të rënda. Ai grabit ç’është më e lehtë për të grabitur dhe as nuk ndjen përgjegjësinë minimale për pasojat shkatërrimtare të veprimeve të tij të papërgjegjshme. Nëse ky vend që nga viti 1990 është udhëhequr nga anarshia, është vjedhur dhe ndërtuar, Edi Rama është i pari që ka ngritur një sistem “kleptonomik”, ku vidhet ç’është për të vjedhur sa më parë, por pa ndërtuar asgjë, nëpërmjet hajdutërve të besuar politikë dhe ekonomikë.

 

Lexoni më shumë:

SKAVICA: tradhëti kombëtare (ose rënia e shkencës dhe sundimi i pseudoartit)

SKAVICA – sipas standardit “Qeveri e Mirë a Qeveri e Keqe”

Raporti i Studimi të kompanisë Sogreah (anglisht)

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>