Skenderbeu i justifikon të gjithë

Nga Carloalberto Rossi
Skenderbeu i justifikon të gjithë

Gjatë festimit të Kurban Bajramit komuniteti musliman i kërkoi leje Bashkisë Tiranë për të kryer në Sheshin Skenderbej ritualin e lutjes së mëngjesit, ku marrin pjesë mijëra besimtarë myslimanë.

Për të përmirësuar realizimin e spektaklit u vendosën disa ekrane të mëdha, të cilët të fotografuar nga një këndvështrim dinak provokues “tregonin” sikur këto ekrane mbulonin ose fshihnin statujën e Skenderbeut. Mjaftueshëm për t’i hedhur benzinë zjarrit, një imam me mjekër menjëherë shpjegoi se Skënderbeu ishte hero kristian dhe prandaj komuniteti mysliman nuk e do.

Hapu qiell! Menjëherë në mediat sociale filluan diskutimet pro dhe kundër Skenderbeut—i shpallur hero kombëtar nga Rilindasit e shekullit të XIX, i përforcuar nga pushtuesit austro-hungarezë e më pas nga fashistët italianë, i glorifikuar nga komunistët, i sanksionuar hero në Kushtetutë e për shumëkënd i paprekshëm.

Shumë zhurmë për asgjë, me përfundimin ironik se bashkëjetesa e paqtë fetare (qartazi e tradhtuar nga diskutimet) është një trashëgimi kombëtare që nuk duhet të preket!

Në një emision televiziv mbi temën, historiani i njohur Pëllumb Xhufi, ish-ambasador në Itali, shpjegoi se figura e Skënderbeut nuk mund të vihet në diskutim dhe aq më shumë për motive fetare, duke parë që në 60 vitet e jetës së tij ai ka ndërruar disa herë fe—deri në moshën 20 vjeçare ka qenë ortodoks, më pas musliman për 20 vite të tjera dhe 20 vitet e fundit të jetës së tij i jetoi si katolik.

Ashtu sikurse në shumë gjëra në jetën e Skenderbeut dhe në hisorinë shqiptare mbretëron ngatërresa dhe paqartësia. Në lëndën e historisë në Itali, Gjergj Kastrioti i njohur si Skenderbeu studiohet i lindur katolik, më pas i marrë peng nga turqit dhe i kthyer në musliman dhe prandaj në fund u rebelua dhe u rikthye katolik.

Ndoshta Xhufin e mori rrjedha e fjalëve.

Ose ndoshta po mendonte për historinë e personazheve të tjera bashkëkohore shqiptare që duke ndjekur modelin e heroit kombëtar, kanë ndryshuar lëkurë disa herë, janë lindur e rritur komunistë, më pas janë kthyer për interes në demokratë dhe pastaj sërish për interesin e tyre janë kthyer në Rilindas.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>