Superliga mbylli javën e 17-të dhe të fundit për këtë vit me rezultate që i kanë hapur rrugë diskutimit për titull 4 skuadrave.
Rezultatet: Partizani 1-0 Vllaznia; Kukësi 1-1 Skënderbeu; Laçi 1-2 Tirana; Bylis 1-0 Luftëtari
Në krye të klasifikimit mbetet Kukësi me 31 pikë, por pas vijnë Bylisi me 30 pikë, Tirana me 28 dhe Partizani me 28.
Nga skuadrat pretendente, Kukësi, Bylisi dhe Tirana janë ato që kanë pasur formën më të mire javët e fundit, ndërsa ajo që ka humbur më shumë ka qenë Partizani.
Pas shkarkimit të trajnerit Julian Ahmataj dhe Ardian Mema, Tirana u drejtua në 3 ndeshjet e fundit nga trajneri i portierëve, Ndubuisi Emanuel Egbo. Bardheblutë ishin në vend të 7-të, por me 3 fitore radhazi, përfshirë këtu derbin me Partizanin, u ngjitën në vend të tretë me 28 pikë.
Kukësi i drejtuar nga Shpëtim Duro, regjistroi 4 fitore dhe 1 barazim në 5 javët e fundit. Në ndeshjet me Tiranën dhe Teutën, ai shkaktoi shkarkimet e trajnerëve Ahmataj dhe Bledi Shkëmbi.
Te Partizani pas humbjes së derbit me Tiranën u shkarkua trajneri Franko Lerda dhe skuadra iu besua ish-futbollistit Renaldo Kalari.
Bylisi është skuadra që ka lënë më shumë mbresa. Nën drejtimin e boshnjakut Veljko Dovedan dhe organizimit të një skuadre me përvojë në mbrojtje dhe talente në sulm, rezultatet kanë qenë tejet të kënaqshme.
Ndeshjet e kampionatit rikthehen më 22 janar me përballje delikate për Tiranën që do të përballet me Bylisin, ndërsa Kukësi dhe Partizani do të luajnë kundër Luftëtarit dhe Skënderbeut.
Ndeshaj Flamurtari-Teuta, që u shty për shkak të reshjeve, do të luhet të hënën, ora 12:00.