Socialistët ndalojnë me ligj studimin e periudhës së luftës nga ISKK

Nga Erblin Vukaj
Socialistët ndalojnë me ligj studimin e periudhës së luftës nga ISKK

Komisioni i Ligjeve miratoi të martën propozimin e 10 deputetëve socialistë për t’i kufizuar veprimtarinë Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.

Sipas socialistëve krimet e komunizmit në Shqipëri kanë ndodhur vetëm pas çlirimit të vendit dhe Instituti duhet t’i shtrijë studimet pas 29 nëntorit 1944.

Ky përcaktim në ligj do të kalojë të enjten për t’u votuar në parlament.

Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) u krijua në vitin 2010 me ligj të posaçëm. Ai financohet nga buxheti i shtetit dhe ka si qëllim zbardhjen dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për krimet e kryera në kohën e komunizmit.

Në ligjin e vitit 2010 thuhej se “periudha e komunizmit është periudha e historisë së Shqipërisë nga 29 nëntori 1944 deri më 8 dhjetor 1990, si dhe periudha përpara datës 29 nëntor 1944, gjatë së cilës është zhvilluar veprimtaria, që ka përgatitur ardhjen në pushtet të Partisë Komuniste të Shqipërisë, e cila më pas, u kthye në Parti e Punës”.

Me këtë përkufizim Instituti ka mbështetur studime edhe të periudhës së Luftës së Dytë Botërore.

Mes tyre, më i diskutueshmi ka qenë botimi i studiuesit Çelo Hoxha “Krimet e komunistëve gjatë luftës 1941-1944”.

Në studimin e botuar në vitin 2014, Hoxha ka listuar 265 emra të drejtuesve të luftës, të cilët në mbështetje të dokumenteve arkivore, i ngarkon me përgjegjësi për krime si pushkatime, djegje shtëpish, plaçkitje etj.

Ky botim ishte në qendër të debateve që u nxitën nga socialistët për të justifikuar ndryshimin e ligjit.

Duke marrë shkas se ky vit shënon 75-vjetorin e çlirimit të vendit, socialistët e konsideruan punën e ISKK me periudhën e Luftës së Dytë Botërore, si “baltë mbi dëshmorët”.

Me propozim nga 10 deputetë, ligji për ISKK-ën do të përkufizojë periudhën e komunizmit “periudhën e historisë së Shqipërisë nga 29 nëntori 1944 deri më 8 dhjetor 1990”.

Propozimi është bërë nga deputetët: Alket Hyseni, Adnor Shameti, Bashkim Fino, Damian Gjiknuri, Edmond Leka, Jurgis Çyrbja, Spartak Braho, Aurora Mara, Elena Xhina dhe Ediola Braha.

Asnjëri prej tyre nuk ka formim në Histori-Filologji. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja tregoi se nuk e dinte se çfarë ndikimi kishte ligji që po ndryshonte kur tha: “Unë jam për diskutim projektligji këtu, jo për historinë e Shqipërisë”.

Kjo nuk është hera e parë që për një diskutim të tillë ndryshohen ligje që kanë të bëjnë me zbardhjen e së shkuarës dhe rehabilitimin e atyre që vuajtën pasojat e komunizmit.

Ligji për statusin e të përndjekurve e njeh komunizmin si periudhë kohore “prej 8 nëntorit 1941 deri më 22 mars 1991”.

Por për dëmshpërblimin e tyre, ligji, u ndryshua disa herë, dhe tashmë e njeh komunizmin si periudhë kohore “nga 30 nëntori 1944 deri më 1 tetor 1991”.

Sipas një auditimi të kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në vitin 2016, prej këtyre ndryshimeve 457 raste u përjashtuan nga skema e dëmshpërblimeve.

Pasi i mohuan mundësinë e dëmshpërblimit, familjarëve të atyre që u përndoqën gjatë luftës do t’i mohojnë edhe mundësinë e zbardhjes të së shkuarës me studime nga ISKK.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>