Bullgaria do të bllokojë hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut

Bullgaria do të bllokojë hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut

Bullgaria nuk ka ndryshuar qëndrim për bllokimin e hapjes së negociatave të Maqedonisë së Veriut me Be-në, pavarësisht vizitës me tone pozitive të kryeministrit maqedonas Zoran Zaev të enjten.

Deklarata e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë pas vizitës la pak dyshime për veton bullgare.

Aty thuhet se Maqedonia e Veriut nuk ka zbatuar Marrëveshjen e Miqësisë dhe Fqinjësisë së Mirë e rrjedhimisht, nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

“Qëndrimi lidhur me kornizën për negociatat për pranimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian mbetet e pandryshuar. Kuadri negociues duhet të përmbajë garancitë e nevojshme në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes së Miqësisë dhe Fqinjësisë të vitit 2017, të cilat aktualisht nuk janë përmbushur. Prandaj, kushtet për të zhvilluar një Konferencë Ndërqeveritare nuk janë përmbushur,” citohet Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë nga Radio Evropia e Lirë.

Zaev vizitoi kryeqytetin bullar, Sofjen në përpjekje për të arritur një marrëveshje, para samitit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, më 22 qershor në Luksemburg.

Pas takimit në Sofje me kryeministrin bullgar, Stefan Janev, kryeministri maqedonas tha se kapërcimi i dallimeve mes dy vendeve është i mundur, por se nevojitet përkushtim nga të dyja palët.

“Kemi biseduar për thelbin e problemit përmes udhërrëfyesit dhe propozimit portugez. Neve na takon që të flasim për raportet dypalëshe. Kemi një hapë para dhe zgjidhja është e mundur,” citohet Zaev nga Radio Evropa e Lirë.

Ai nuk ka dhënë detaje tjera mbi rrjedhën e bisedimeve.

Janev nga ana e tij, nuk foli për arsyet e vetos bullgare apo kërkesat ndaj fqinjit, por la pak dyshim se qëndrimi i vendit të tij nuk ka ndryshuar.

“Për vite, politika e Bullgarisë ka qenë e orientuar drejt mbështetjes së fortë për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në BE,” tha ai.

Kryeministri maqedonas më herët, ka lënë të hapur mundësinë që para anëtarësimit në BE, Maqedonia e Veriut të ndryshojë kushtetutën, për të përfshirë në preambulë edhe pakicën bullgare.

Janev duket se konfirmoi këtë version kur shtoi se kishin marr një propozim nga kryeministri Zaev, të cilin do ta shqyrtonin, por nuk u zgjat më tej.

Bullgaria e bllokoi mbajtjen e bisedimeve me Maqedoninë edhe vitin e kaluar, për të njëjtën arsye.

Ajo kërkon që Maqedonia e Veriut të pranojë që gjuha maqedonase është një dialekt perëndimor i gjuhës bullgare.

Dy vendet kanë pretendime mbi përkatësinë etnike të disa prej figurave më të shquara historike dhe kulturore që të dyja palët i llogarisin si të vetat.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>