Më shumë se një e katërta e personave mbi 18 vjeç në Bashkimin Europian do ta refuzonin bërjen e vaksinës kundër COVID-19 nëse do t’u ofrohej, sipas një studimi të publikuar të enjten, raporton Reuters.
Rezultatet tregojnë një lidhje të fortë midis hezitimit për të bërë vaksinën dhe përdorimit të mediave sociale si burimi kryesor i informimit, sipas Eurofound që ka kryer studimin.
“Për fat të keq, këto gjetje pasqyrojnë dështimin për të dhënë një komunikim bindës dhe të qartë në lidhje me efikasitetin dhe sigurinë e vaksinave,” tha Daphne Ahrendt, hulumtuese në Eurofound.
Bullgarët rezultojnë më skeptikët për vaksinën. Rreth 67% e të përgjigjurve nga ky vend janë shprehur se nuk ka gjasa ta pranojnë vaksinën.
Në Irlandë, vetëm 10% thanë se nuk do të vaksinohen.
Studimi ka gjetur se ka dallime mes perëndimit dhe lindjes përgjatë Europës sa i përket vaksinimit. Përveç Francës dhe Austrisë, dëshira për t’u vaksinuar ishte mbi 60% në të gjitha vendet perëndimore, anëtare të BE-së.
Ky raport ulet në vendet lindore duke variuar nga 59% në Rumani dhe deri në 33% në Bullgari.
Koha e kaluar në mediat sociale kishte ndikimin kryesor në hezitimin për të bërë vaksinën sipas studimit.
Përqindja e skeptikëve rritet në 40% tek ata që përdorin mediat sociale si burimin e tyre kryesor të lajmeve.
Midis atyre që përdorin media tradicionale përfshi shtypin, radion dhe televizionin, vetëm 18% e të anketuarve ishin skeptikë ndaj vaksinës.
Sondazhi gjithashtu zbuloi se studentët, të punësuarit ose pensionistët ishin më pak hezitues ndaj vaksinës, ndërsa 39% e njerëzve të papunë ose ata me një sëmundje afatgjatë ose me aftësi të kufizuara ishin më hezitues.
Sondazhi u krye midis shkurtit dhe marsit 2021, nëpër 27 vendet anëtare të bllokut.