Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden do të marrë detyrën në mes të një rritjeje optimizmi midis aleatëve kryesorë evropianë për të ardhmen e marrëdhënieve trans-Atlantike dhe politikën e jashtme amerikane në përgjithësi, tregoi një sondazh i Qendrës Kërkimore “Pew” me seli në Uashington..
Katër vitet qasjes së Presidentit në politikën e jashtme, e cila përfshinte përplasje me miqtë tradicionalë të NATO-s dhe vënien në dyshim të vetë aleancës, si dhe tarifat e reja tregtare, i kanë zbehur marrëdhëniet me shumë shtete në Evropë.
Por me zgjedhjen e Biden, në Gjermani, Francë dhe Britani po i shikojnë në mënyrë optimiste marrëdhëniet SHBA-BE për vitet e ardhshme, raporton Associated Press.
Si në Francë ashtu edhe në Gjermani 84% e të anketuarve thanë se ishin optimistë për të ardhmen e marrëdhënies së vendit të tyre me SHBA, ashtu si edhe 72% në Britani. Në SHBA, 73% e të anketuarve thanë se ishin optimistë për marrëdhëniet e ardhshme me Evropën.
Kur u pyetën në mënyrë specifike për Biden, 79% e gjermanëve, 72% e francezëve dhe 65% e të anketuarve britanikë thanë se kishin besim tek ai për të bërë gjënë e duhur në lidhje me çështjet botërore.
Të tre vendet kishin vlerësim negativë në lidhje me performancën e Trump në skenën ndërkombëtare gjatë kohës së tij në detyrë, sipas sondazheve të “Pew”.
Politikanët evropianë kanë qenë të kujdesshëm në optimizmin e tyre në lidhje me presidencën e ardhshme të Bidenit, duke vënë në dukje se qëndrimi i Uashingtonit për disa çështje të diskutueshme si shpenzimet e NATO-s dhe kundërshtimi i projektit të tubacionit Nord Stream 2 gjermano-rus nuk ka të ngjarë të ndryshojë ndjeshëm.
Në të njëjtën kohë, Evropa pret që Biden të anulojë dy tërheqjet kryesore të Trump nga bashkëpunimi shumëpalësh: vendimi i tij për t’u tërhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, i shpallur vitin e kaluar, dhe dalja e SHBA nga marrëveshja e klimës në Paris.
Sondazhi i Pew tregoi se shumica në të tre vendet europiane besojnë se politika e jashtme e SHBA, reagimi i saj ndaj ndryshimeve klimatike dhe qasja e saj ndaj shpërthimit të koronavirusit do të përmirësohet nën presidencën Biden.
Megjithëse u krye para sulmit të Kapitolit në Uashington në fillim të këtij muaji, sondazhi zbuloi gjithashtu se tashmë kishte shqetësime të përhapura në lidhje me demokracinë amerikane midis Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Pew zbuloi se 73% e gjermanëve, 64% e francezëve dhe 62% e të anketuarve britanikë thanë se sistemi politik amerikan ka nevojë për ndryshime të mëdha ose reformë të plotë.
Sondazhi është kryer në Francë, Gjermani dhe Britani nga 12 nëntori deri më 23 dhjetor, me të dhëna shtesë nga SHBA të marra nga një sondazh i bërë nga 10 nëntori deri më 7 dhjetor.