Soreka flet për negociatat dhe komenton pakënaqësinë e Ramës ndaj BE-së për vaksinat

Nga Exit News
Soreka flet për negociatat dhe komenton pakënaqësinë e Ramës ndaj BE-së për vaksinat

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luixhi Soreka shprehet optimist se negociatat me Shqipërinë do të hapen përfundimish në pranerën e këtij viti pavarësisht marrjes së presidencës së Këshillit nga Portugalia. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Soreka thotë se e kanë habitur pakënaqësitë e kryeministrit Rama ndaj Bashkimit Europian për vaksinat.

Sipas Sorekës, detyrat e Shqipërisë “në perspektivën e Bashkimit Evropian janë bërë” dhe negociatat do të nisin në pranverë. Në këtë proces do të jetë e angazhaur edhe presidenca portugeze e Këshillit, shton Soreka.

“Mendoj se, siç e thashë, në tremujorin e dytë, në pranverë të këtij viti, kam shumë besim se do të jemi në një pozicion që t’i nisim më në fund negociatat. Kam dëgjuar fjalë shumë të qarta nga ministri i Punëve të Jashtme të Portugalisë, i cili do të drejtojë mbledhjet e Këshillit, ku do të merret vendimi.Ai e ka konfirmuar angazhimin e plotë të presidencës portugeze për të ecur përpara drejt nisjes së negociatave për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut.”

Në lidhje me pakënaqësitë e kryeministrit Edi Rama ndaj BE-së për mungesë solidariteti ndaj Ballkanit në proçesin e vaksinimit, Soreka tha se ndjehej i habitur nga ky qëndrim i kryeministrit.

“Më duhet ta pranoj se u habitëm nga deklarata e dhënë nga kryeministri në fillim të vitit, veçanërisht pasi solidariteti i Bashkimit Evropian nuk ka qenë kurrë aq i dukshëm sa në vitin 2020”

Soreka renditi disa nga ndihmat e BE-së për Shqipërinë gjatë vitit 2020 ndërsa për vaksinën tha se procesi ka qenë i vështirë edhe për vendet anëtare. Megjithatë, Soreka shtoi se Shqipëria duhet të përgatisë një plan vaksinimi për t’i mundësuar BE-së të ndërhyjë.

Ambasadori i BE-së u shpreh gjithashtu se qëndrimi i Brukselit për ligjin e Medias është se “vetërregullimi është rruga që duhet ndjekur, kur bëhet fjalë për median online apo median e shtypur.”

‘Nëse qeveria shqiptare vendos të kthehet tek kjo ide që për momentin, me sa kuptoj është lënë mënjanë, ne do të vendosim mbi tryezë të njëjtat parime: nevojën për një konsultim të plotë me komunitetin e medias, shoqërinë civile, si dhe pavarësinë e autoritetit që vendos mbi lirinë e shprehjes.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>