Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka vendosur të ngrejë Prokurorinë Speciale Anti Korrupsion (SPAK) pa pritur formimin e kuorumit prej 10 prokuroresh të përcaktuar në Kushtetutë.
Në një deklaratë për shtyp, kryetari i KLP-së Gent Ibrahimi deklaroi:
“Ne sot arrijmë në përfundimin se ngritja me 8 apo me 10 anëtarë nuk na përket ne. Ne po emërojmë prokurorët për SPAK, ne nuk marrim vendimin për krijimin e SPAK. Ne nuk e shkelim Kushtetutën për ngritjen e SPAK me 8 anëtarë”.
Me vendimin e saj për të mos “ngritur” SPAK por thjesht për të “emëruar” 8 prokurorë në SPAK, KLP po përpiqet të gjej një rrugë të mesme mes kërkesës së Kushtetutës se numri i prokurorëve të SPAK nuk mund të jetë më i vogël se 10, dhe presionit ndaj KLP-së për të ngritur sa më shpejt Prokurorinë Speciale Anti Korrupsion.
Sipas nenit 148/dh(2) të Kushtetutës,
Prokuroria e Posaçme përbëhet nga të paktën 10 prokurorë, të cilët emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi. Ligji vendos kritere të tjera për përzgjedhjen si dhe për procedurën transparente dhe publike të emërimit.
Me zgjidhjen për të emëruar 8 prokurorë në SPAK, KLP argumenton se nuk është në dorë të KLP-së të kontrollojë nëse SPAK përbëhet nga 10 prokurorë, por ajo thjesht emëron prokurorët në SPAK. Ndaj është në dorë të vetë SPAK të vendosë nëse përmbush ose jo kuorumin e përcaktuar nga Kushtetuta, dhe çfarë duhet të bëjë në këtë rast.
Kushtetuta nuk kërkon një kuorum për zgjedhjen e Kryetarit të SPAK. Sipas nenit 148/dh(3):
“Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme zgjidhet nga radhët e prokurorëve të kësaj prokurorie me shumicën e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për 3 vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje, sipas ligjit”.
Kështu, KLP argumenton se është në rregull me kufirin ligjor dhe kushtetues për të emëruar 8 prokurorë në SPAK, t’i lejojë atyre të zgjedhin kryetarin e SPAK, i cili më pas do të merret me mos formimin e kuorumit për vendimet e SPAK.
Megjithëse kjo zgjidhje elegante, në mos në një farë menyre devijante, shmang zgjidhjen e “përkohshme” të propozuar nga drejtuesi i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja, i cili propozoi krijimin e SPAK me 8 prokurorë të kualifikuar dhe 2 prokurorë “të transferuar përkohësisht”.
Por edhe zgjidhja e KLP-së mund të japë të njëjtin rezultat: të përballur me mungesën e dy prokurorëve, SPAK nuk mund të mos pranojë transferimin e përkohshëm të dy prokurorëve në SPAK.
Për më shumë, nuk ka absolutisht asnjë arsye pse KLP të mos e shmang të gjithë çështjen e të presë derisa 10 prokurorë që kualifikohen për SPAK të kalojnë vetingun. Duke zgjedhur këtë zgjidhje, SPAK po formohet nën trysninë e politikës, duke treguar se sistemi i ri i drejtësisë është tërësisht i varur nga politika.
Zgjidhja e zgjedhur nga KLP ngren pyetjen pse SPAK nuk u krijua më parë me 6, 5, apo 4 kandidatët që kaluan të dyja shkallët e vetingut. Nëse me të vëretet KLP nuk preket nga kufiri prej 10 prokurorësh i vendosur nga Kushtetuta, pse pritën ata derisa të bëheshin 8 prokurorë?
Teknikisht, KLP mund ta kishte formuar SPAK edhe vetëm me një prokuror, i cili/e cila mund të ishte vetëzgjedhur kryetar/e, dhe më pas të kërkonte transferimin e 9 prokurorëve të tjerë. Kjo do të kishte qënë po kaq ligjore sa zgjidhja aktuale.
Kjo zgjidhje ngren sërish pyetjen famëkeqe të “frymës” së ligjit, e cila duket se është arratisur nga Tirana drej sferave më të larta.
Nëse SPAK do të zbatojë me të vërtet këtë plan, SPAK do të formohet me këto 8 prokurorë:
- Arben Kraja
- Edvin Kondili
- Ened Nakuçi
- Enkeleda Millonaj
- Behar Dibra
- Elida Kaçkini
- Klodian Braho
- Altin Dumani
Ndërkohë, Gjykata Administrative e Apelit hodhi poshtë ankesën e Lulzim Alushajt kundër vendimi të KLP për të skualifikuar atë si kandidatë për prokurorë të përgjithshëm. Çfarë do të thotë se procesi mund të vazhdojë.
Shënim: Ky artikull u rifreskua me informacionin e bërë publik pas mbledhjes së KLP-së.