Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) pushoi sot çështjen kundër tre gjyqtarëve Skënder Damini, Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolli, të cilët pranuan gjykim të shkurtuar për Dritan Dajtin.
SPAK argumentoi se akuzat për korrupsion ndaj tre gjyqtarëve nuk u provuan, kështu nuk ekziston vepra penale.
Trupa prej pesë gjyqtarësh e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e Dritan Dajtit për gjykim të shkurtuar dhe ia uli atij dënimin nga burgim i përjetshëm në 25 vite burg.
Në shkurt të 2019, policia ushtroi kontroll në banesat e tre gjyqtarëve të çështjes Dajti. Sipas policisë, kontrolli erdhi si pasojë e informacioneve se gjyqtarët kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë dhënë një vendim në kundërshtim me ligjin.
Policia ndaloi gjyqtarin e çështjes Dajti, Skënder Damini. Policia gjeti armë, municione dhe 20 mijë euro në banesën e tij. Njëra armë ishte pa leje.