Gjykata Speciale në Hagë ka vendosur se Rexhep Selimi duhet të qendrojë në paraburgim. Gjykatësi i procedurës paraprake ka arsyetuar se Selimi mund të arratiset pasi është në dijeni të akuzave kundër tij. Lajmin e dha Zyra e Prokurorisë Speciale, tê premten.
Sipas gazetës kosovare Koha, në urdhrin e gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Giju, specifikohet se Selimi mund të ndërhyrjë në hetimin e tentim-vrasjes së një anëtari të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Mund të pengojë procedimin me anë të ndërhyrjes ndaj dëshmitarëve, viktimave, ose bashkëkryerësve… Pretendohet se ka tentuar të ndërhyjë në një procedim tjetër në lidhje me orvatjen për vrasje të një anëtari të Lidhjes Demokratike të Kosovë”, shkruhet në urdhërin e Gjykatësit.
Lexoni më poshtë urdhrin e plotë të gjykatësit të botuar nga Koha.net:
“Ekziston rreziku i arratisjes së tij, duke qenë se ai është në dijeni të akuzave kundër tij që përfshihen në Aktakuzën e konfirmuar, si dhe të dënimeve të mundshme që mund të përfshijnë dënim deri në burgim të përjetshëm; (ii) është në dijeni të vendimeve për fajësi penale të ish-anëtarëve të lartë të UÇK-së dhe të anëtarëve të identifikuar të NKP-së, të cilat janë raportuar publikisht; (iii) aktualisht është deputet i Kuvendi të Kosovës dhe në të shkuarën ka mbajtur poste të ndryshme qeveritare dhe ka mundësinë që të mobilizojë lehtësisht një rrjet të gjerë përkrahësish dhe zyrtarësh të qeverisë ndër të cilët edhe persona me ekspertizë në lëmin e sigurisë, policisë dhe inteligjencës; (iv) ka qasje në fonde të konsiderueshme; dhe (v) ka mundësinë që të udhëtojë lirisht; (b) mund të pengojë procedimin me anë të ndërhyrjes ndaj dëshmitarëve, viktimave, ose bashkëkryerësve, duke marrë parasysh se ai (i) ka post me pushtet dhe ndikim në Kosovë çka i mundëson të mobilizojë një rrjet të gjerë përkrahësish për të penguar hetimet e ZPS-së; (ii) është përfshirë prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një listë të personave të cilëve u është bllokuar pasuria për arsye se ka kërcënuar përpjekjet ndërkombëtare për stabilizimin e Ballkanit Perëndimor, ndër të tjera përmes përfshirjes së mundshme të tij në pengimin e zbatimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që themeloi UNMIK-un; dhe (iii) pretendohet se ka tentuar të ndërhyjë në një procedim tjetër në lidhje me orvatjen për vrasje të një anëtari të Lidhjes Demokratike të Kosovë”.
Selimi, Thaçi, Veseli e Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë. Ata akuzohen për kryerjen e disa veprave penale që lidhen me krime lufte.