Spekulimi me përdorimin e PISA-s si risi në testin e maturës shtetërore

Nga Prof.Dr. Nikoleta Mita
Spekulimi me përdorimin e PISA-s si risi në testin e maturës shtetërore

Në debatin e nxehtë të këtyre ditëve për cilësinë e testit të maturës shtetërore po prezantohet dhe po mbrohet teza se testi i gjuhës dhe letërsisë ishte një risi dhe kritika ndaj testit është një rezistencë ndaj risive pedagogjike, ndaj modernizimit. Kjo tezë nuk qëndron. Është një spekulim.

Përfaqësues të rangjeve të ndryshme të MASR kanë vënë në dukje disa herë se kanë përdorur modelin e PISA-s (Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve) për testin e gjuhës dhe të leximit të maturës shtetërore dhe kjo përbën një risi.

Sot do të përqendrohem në përdoriminin spekulativ të PISA-s si risi për testin e gjuhës shqipe dhe letërsisë të maturës shtetërore.

Si një eksperte që kam bashkëpunuar me OECD, duke filluar nga viti 1999 në funksione të ndryshme për zbatimin e PISA-s në Shqipëri, parashtroj sa më poshtë vijon.

1. PISA është një studim ndërkombëtar në fushën e vlerësimit arsimor që kryhet çdo tre vjet me nxënësit 15-vjeçarë në tri fusha kryesore: lexim, matematikë dhe shkenca. Provimi i maturës është një provim kombëtar në përfundim të arsimit të mesëm të lartë që zhvillohet në disa lëndë mësimore.

2. PISA vlerëson shkallën në të cilën nxënësit kanë fituar njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për pjesëmarrje të plotë në jetën shoqërore dhe ekonomike. PISA, si studim, synon të japë përgjigje për këto pyetje:

  • a) A i përgatit shkolla nxënësit për të marrë pjesë në jetën e shoqërisë?
  • b) Sa mirë janë përgatitur nxënësit që të përballojnë sfidat e së ardhmes?
  • c) A janë ata të aftë të analizojnë, të arsyetojnë dhe të komunikojnë idetë e tyre në mënyrë të efektshme?
  • d) A janë aftësuar nxënësit që të vazhdojnë të nxënët gjatë gjithë jetës?
  • e) Ç’struktura dhe praktika arsimore i maksimizojnë mundësitë e nxënësve me kushte të disfavorshme?
  • f) Ç’ndikim luan cilësia e burimeve shkollore në arritjet e nxënësve?

Provimet e maturës shtetërore synojnë të matin arritjet shkollore të nxënësve për të përcaktuar nëse nxënësit e kanë arritur nivelin e kërkuar formal për t’u certifikuar në përfundim të arsimit të mesëm të lartë. Provimet e maturës shtetërore përdoren për të rregulluar përzgjedhjen e kandidatëve për studime të mëtejshme ose për punësim.

Pra, PISA dhe matura shtetërore janë dy lloje vlerësimesh krejtësisht të ndryshme, me synime krejtësisht të ndryshme dhe të dallueshme.

3. PISA ka në fokus vlerësimin e nxënësve në përfundim të arsimit të mesëm të ulët. Provimeve të maturës shtetërore u nënshtrohen nxënës që përfundojnë studimet e arsimit të mesëm të lartë. Rezultatet e PISA-s nuk kanë vlerë individuale, rezultatet e provimeve të maturës shtetërore kanë vlerë individuale shumë të rëndësishme për secilin nxënës.

4. PISA mat kompetencat e nxënësve për jetën, nuk bazohet në kurrikula, pasi është e pamundur të përdorësh të njëjtin test për të matur arritje për kurrikula të ndryshme të vendeve të ndryshme. Provimi i maturës shtetërore është një provim i bazuar në kurrikula. PISA teston kompetenca për jetën reale. Matura shtetërore teston kompetenca të përcaktuara për lëndë të caktuara mësimore.

5. Nëse do t’i referohemi fushës së gjuhës dhe të letërsisë, PISA mat kompetencat e nxënësve në lexim. Provimi i maturës shtetërore mat kompetencat e nxënësve në gjuhë dhe letërsi, ndërsa leximi është vetëm njëri nga katër komponentët e gjuhës.

6. PISA zbatohet në dy faza: faza e pilotimit dhe faza e studimit kryesor. Testi i maturës shetërore i zhvilluar në Shqipëri, në dijeninë time, nuk është pilotuar paraprakisht asnjëherë. Synimi i pilotimit është të garantojë cilësinë e instrumentit të testit dhe të shmangë të gjitha pasojat që mund të pasqyrohen në rezultate nga një instrument i ndërtuar dobët.

7. PISA ka referenca për tekstet e përdorura si stimulus për çdo pyetje, kur teksti është huazuar për qëllime testimi. Testi i gjuhës dhe letërsisë shqipe i maturës shtetërore (Matura 2011-2020), për pjesën e gjuhës nuk ka asnjë referencë për tekstet e përdorura si stimulus, ndërsa ka referenca të paplota për tekstet e marra nga letërsia.

8. PISA zhvillohet në shumicën e vendeve, përfshirë edhe Shqipërinë në formatin elektronik. Testi i maturës shtetërore nuk zhvillohet elektronikisht.

9. PISA ka udhëzues për mësuesit sesi duhet të punojnë me nxënësit që t’i familjarizojnë ata me formatin e testit të PISA-s, ndërsa një udhëzues i tillë nuk është vënë në dispozicion të mësuesve që përgatisin nxënësit për provimet e maturës shetërore në Shqipëri dhe maturantëve u thuhet që mund të ushtrohen vetë se janë të rritur.

10. PISA kryen analiza psikometrike për vlefshmërinë, për besueshmërinë, për vështirësinë, për fuqinë diskriminuese të pyetjeve të testit dhe në bazë të evidencës përmirësohen ose hiqen nga paketa e testit pyetjet që ndikojnë negativisht rezultatet e vlerësimit.

Pra, kur lloji i vlerësimit është i ndryshëm, kur qëllimi i vlerësimit është i ndryshëm, kur stadi i shkollimit të nxënësve është i ndryshëm, kur masa e popullatës është e ndryshme, kur kompetencat që maten janë të ndryshme, kur ekspertiza është cilësisht e ndryshme, kur burimet mbështetëse janë të ndryshme, sa i mundur dhe i efektshëm është përdorimi i përvojës së PISA-s dhe paraqitja e kësaj përvoje si risi për testet e gjuhës dhe letërsisë së maturës shtetërore?!

Nëse nga PISA do të ishin transferuar dhe zbatuar mirë disa aspekte të përgjithshme metodologjike dhe administrative, disa elemente të kornizës së ndërtimit të testit në përgjithësi,  do të ishin shmangur gabimet që vijnë për shkak të përdorimit të formatit të pyetjes me përgjigjen e saktë, kur në fakt pyetja i përket formatiti me përgjigjen më të mirë (Matura 2013, 2014, 2016, 2017, 2018, 2019, 2020); do të ishte shmangur leximi disa herë i stimulusit dhe humbja e kohës, nëse stimulus dhe trungu do të ishin integruar mirë; do të ishte shmangur dykuptimësia që përcjell trungu në disa raste; do të ishin paraqitur ngatërrues të mirë dhe do të ishin shmagur rastet me përgjigjen çelës të gabuar ose të diskutueshëm.

Nëse nga PISA do të ishin transferuar dhe zbatuar mirë procedurat e administrimit të testit, do të ishin shmangur problemet që e shoqërojnë përgatitjen dhe përdorimin e testeve prej disa vitesh.

Nëse nga PISA do të ishin transferuar dhe përdorur procedurat e plota psikometrike, do të ishin bërë analiza të plota dhe do të shmangej përsëritja e gabimeve.

Që me risitë të mos spekulohet, do të shënoj se është e rëndësishme që risitë në arsim të institucionalizohen nëpërmjet dokumenteve zyrtare administrative dhe pedagogjike, të publikohen dokumentet përkatëse, të raportohet vazhdimisht për ecurinë e zbatimit të risive, pasi zbatimi informal i ndonjë elementi dhe spekulimi me zbatimin e risive nuk e përmirësojnë arsimin.

Përvojat e Finlandës, Francës, Gjermanisë, Polonisë dhe shumë vendeve të tjera dëshmojnë se institucionet qëndrore përgjegjëse për arsimin kanë nxjerrë akte ligjore dhe nënligjore në reflektim të rezultateve dhe të përvojës së PISA-s.


Prof.Dr. Nikoleta Mita është eksperte në fushën e vlerësimit arsimor dhe psikologjik.

Ky është shkrimi i saj i dytë lirdhur me problemet e maturës shtetërore. Shkrimin e saj të parë ‘Interesi publik për cilësinë e maturës shtetërore’ mund ta lexoni këtu.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>