Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka siguruar qytetarët e Durrësit se spitali i qytetit nuk ka pësuar dëme strukturore nga tërmeti i fortë që ra sot në mesditë.
Në një komunikim me mediat, Ministrja Manastirliu tha se inxhinierë të Institutit të Ndërtimit kishin bërë vlerësimin e gjendjes së ndërtesës dhe kishin dalë në përfundimin se dëmet ishin jo strukturore dhe të riparueshme.
“Sapo morëm vlerësimin nga ekspertët që nuk ka dëmtime strukturore të spitalit dhe puna do të vijojë normalisht, vetëm do të bëjmë një zhvendosje të hyrjes së urgjencës deri në riparimin e dëmeve”
Sipas zyrës për shtyp të Ministres Manastirliu, riparimet do të kryhen menjëherë.
Spitali i Durrësit u trondit sot nga lëkundjet e forta të një tërmeti të magnitudës mbi 5 të shkallës Richter. Prej lëkundjeve ndërtesa e spitalit pësoi plasaritje dhe çarje të forta në mure.