Redaksia e Exit.al mori para pak ditësh një letër korrekte nga zyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Grupit Kastrati, në të cilin kjo kompani—një nga dy ortakët prej 50 për qind të shoqërisë koncesionare të Rrugës së Kombit Albania Highway Concession sh.p.k—paraqiste qëndrimin e saj rreth artikullit të Exit.al për përfshirjen e administratorit të shoqërisë koncesionare në një proces penal në Itali.
Bëhet fjalë për procesin mbi aksidentin me pasojë vdekjen e 40 personave të ndodhur në 2013, aksident i cili, sipas hetimit gjyqësor, u shkaktua nga një defekt i autobusit, por që për shkak të mirëmbajtjes së barrierave anësore të autostradës çoi në daljen dhe rrëzimin e autobusit nga një urë. Për këtë aksident po mbahen përgjegjës, sipas ligjit, edhe disa drejtues të shoqërisë Autostrada, ndër ta edhe inxhinieri Spadavecchia, sot administratori i vetëm i Albanian Highway Concession sh.p.k.
Ky saktësim, të cilin e kemi publikuar të plotë ashtu sikurse na u dërgua, nuk i shton asnjë element të ri ose fakt të ri që nuk ishte i qartësuar më parë në artikullin tonë. Përkundrazi, sqarimi paradoksalisht “miraton dhe konfirmon” në çdo element artikullin tonë.
E vetmja pikë për të cilën sqarimi kundërshton artikullin tonë është fakti se ne kemi paraqitur vetëm arsyet e akuzës, pra të prokurorisë së Republikës së Italisë, ndërsa sipas sqarimit, mbrojtja gjatë procesit ka paraqitur dëshmi dhe ekspertiza të ekspertëve—në fakt të gjithë kolegë të të hetuarve dhe ata të përfshirë në punët e mirëmbajtjes së autostradës—në të cilat thuhet se inspektimet e autostradës janë kryer rregullisht dhe në mënyrë efektive, por kushtet teknike të rrugës—trafiku i rënduar, mungesa e korsive të emergjencës, gremina nga ana e jashtme të barrierave—lejonin vetëm një inspektim të pjesshëm.
Exit.al nuk i ka paraqitur në artikull këto dëshmi dhe ekspertiza për arsye të hapësirës së përshtatshme për një artikull, e mbi të gjitha për të mos ngjallur opinione emocionale. Pasi në fakt, argumenti kryesor i këtyre dëshmive dhe gjithë ekspertizës së mbrojtjes, sikurse janë paraqitur në median italiane, mbështesin faktin se procedurat e inspektimit—verifikim optik i kryer nga një makinë e cila lëvizte me shpejtësi 80 km/orë—të parashikuara dhe të zbatuara nga drejtuesit nën hetim nuk të jepnin mundësi të konstatoje nëse kapjet e barrierës së sigurisë me dyshemenë e rrugës ishin apo jo të gërryera çfarë do t’i bënte ato të pasigurta. Pra, vetë dëshmitë e mbrojtjes, në fakt, kanë pohuar se procedurat e inspektimit nuk ishin të përshtatshme për të konstatuar rrezikun.
Ndoshta kjo mund t’i mjaftojë të hetuarve të shmangnin dënimin, por sigurisht nuk shërbejnë për të bindur publikun italian se përgjegjësit e mirëmbajtjes kanë bërë gjithçka kanë pasur në dorë për të shmangur rrezikun.
Sqarimi i kompanisë Kastrati, na informon se Italia ka tre shkallë gjykimi, dhe procesi aktualisht është ende në shkallë të parë, dhe për rrjedhojë nuk ka asnjë masa ligjore të zbatueshme që i ndalon inxhinierit Spadavecchia ushtrimin e aftësive të tij profesionale, gjë e cila në fakt nuk është vënë në asnjë moment në dyshim në artikullin tonë. Por ndërsa ngadalësia e drejtësisë italiane mund të justifikohet vetëm formalisht, vështirë se mund të justifikohet përgjegjësia morale e Zotit Spadaveccia për faktin që ka zgjedhur të vazhdojë të ushtrojë profesionin e tij.
Realiteti i fakteve është i njëjtë si në Itali ashtu edhe në Shqipëri: inxhinieri Spadavecchia ishte drejtues i një shoqërie koncesionare, e cila kishte interesin për të minimizuar shpenzimet e mirëmbajtjes së autostradës, dhe për këtë arsye ai do vlerësohej pozitivisht dhe mund të promovohej në karrierë nëse arrinte të kursente sa më shumë nga kostoja e mirëmbajtjes së autostradës. Më pas, nëse rruga shembet, përgjegjshmëria penale është e drejtuesit që ka firmosur, ndërsa fitimet shtesë, të siguruara nga kursimi, i mbeten koncesionarit të paprekura.
Edhe për këto raste në Itali, por jo në Shqipëri, ekziston një ligj, pak efikas dhe për më tepër i diskutueshëm, i cili parashikon përgjegjësi penale financiare për kompanitë, me qëllim që ato të mos përfitojnë të mira materiale duke ju bërë presion drejtuesve të kompanive për shkurtime të rrezikshme kostosh, gjë e cila pashmangshmërisht çon në situatën kur këta drejtues kthehen në rrufepritës të padive gjyqësore ndaj kompanive.
Kjo përgjegjësi e kompanive nuk ekziston në Shqipëri, dhe ky është një nga shumë problemet që shpesh kemi përfshirë në kritikën tonë të pandërprerë ndaj sistemit oligarkik paleokapitalist që po vendoset në vendin tonë.
Redaksia e Exit.al i uron inxhinierit Spadavecchia të arrijë të tregojë në mënyrë bindëse në procesin e tanishëm gjyqësor në ngarkim të tij, dhe atyre që në mënyrë të pashmangshme do të vazhdojnë ta gjykojnë në vitet e ardhshme, përjashtimin e tij nga çdo përgjegjësi për këtë tragjedi të trishtë. Por mbi të gjitha, pavarësisht nga vendimi i procesit gjyqësor, urojmë që inxhiniieri Spadavecchia, apo të tjerët që do të merren në të ardhmen, të mund ta kthejnë në mësim të artë këtë ngjarje dhe të parashikojnë procedura mirëmbajtjeje më efikase dhe më jetëshpëtuese të rrugëve tona kombëtare se sa ato që janë aktualisht në fuqi.
Ndërsa për koncesionarin Kastrati urojmë që kapitalet dhe përpjekjet e tyre sipërmarrëse t’i investojë jo në koncesione dhe favore qeveritare monopoliste, por në prodhimtari dhe bujqësi, të cilat janë më të dobishme për interesin e përbashkët.