Stadiumet kanë mbetur bosh thuajse në të gjithë botën për shkat të pandemisë, por këtë javë stadiumi kryesor i Kosovës u bë arena që i dha zë mijëra viktimave të dhunës seksuale gjatë të luftës së Kosovës.
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës (QKRVT) veshi mijëra vendet e stadiumit me imazhe të lules anemone gjatë ndeshjes së futbollit Kosovë-Moldavi të mërkurën, për të tërhequr vëmendjen te sfida e vazhdueshme e mbi 20 mijë viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.
Imazhet e lules delikate, heshtja e pazakontë dhe thirrjet e munguara të mijëra njerëzve që duhet të kishin mbushur stolat në stadium krijuan një simbolikë prekëse që thirri fort për drejtësi.
Exit News foli me organizatën e shoqërisë civile që qëndron pas aktivitetit.
QKRVT ka punuar që pas fundit të lufts së Kosovës në 1999 për të mbështetur gratë dhe burrat që i mbijetuan tmerrit të ushtruar nga shteti serb përmes ushtrisë, dhe për të rritur ndërgjegjësimin për stigmën shoqërore rreth temës tabu të përdhunimit.
Motoja aktuale e punës së organizatës, “Bëhu Zëri im”, ka pasuar që nga viti 2018 moton “Dëgjo Zërin Tim”. “Bëhu Zëri im” synon të forcojë thirrjet për ë dhënë më shumë mbështetje e viktimave drejtuar shoqërisë dhe institucioneve.
Arzana Kraja dhe Dardan Luta konceptuan dhe krijuan simbolin e anemonës, një lule e kudondodhur në Kosovë, për të simbolizuar mbështetjen dhe empatinë për të mbijetuarit, si dhe për brishtësinë dhe ndjeshmërinë e tyre.
QKRVT shpjegoi se përdhunimet ndaj popullatës shqiptare gjatë luftës ishin një nga mjetet e luftës së Serbisë, që synonte jo vetëm poshtërimin e individit, por edhe në shkatërrimin e familjeve, komuniteteve dhe shoqërisë.
Gazetari Milind Behluli i T7 TV kujtoi rrëfimet e viktimave për tmerrin që ata jetuan gjatë luftës 1998-1999 me Serbinë:
“Njëra nga ato më rrëfente se si ishte dhunuar nga 13 herë në ditë. Një tjetër m’i tregonte kryqet, që ushtarët serbë i ‘vizatuan’ me thikë në trup gjatë dhunimit. Më tregonte që sa herë hynte të pastrohej i shihte ato kryqe, që i kujtonin ato ditë të vështira. Një tjetër viktimë e dhunës seksuale më thoshte që do dëshiroja ta digjja trupin tim. Një tjetër më tregonte se kishte parë edhe burra që dhunoheshin seksualisht nga serbët. Ato sot janë të panjohura, rrëfimet e shumicës së tyre janë të padëgjuara. Por ato kanë një emër të përbashkët: lirinë e Kosovës,” shkroi ai të premten.
Askush nga kriminelët serbë nuk është dënuar deri më tani për krime të dhunës seksuale, tha QKRVT për Exit News.