Në qershor të vitit 2014 Bashkia Tiranë vendosi të ndryshonte kapitalet e KF Tirana. Deri në këtë periudhë Bashkia kishte qenë aksionerja e vetme. KF Tirana konsiderohej klubi më i pasur në Shqipëri pasi zotëronte fushën e Kombinatit, kompleksin Skënder Halili dhe stadiumin Selman Stërmasi. Vetëm këto prona vlerësoheshin rreth €40 milionë (5,160,494,360 lekë) dhe ishin asetet më kryesore të klubit.
Por me ndryshimin e kapitaleve, Bashkia ia hoqi këto pasuri klubit të Tiranës. Nga €50 milionë (6,708, 642,668 lekë) që ishte, inventari i kapitaleve përfundimtare shkoi në €2.3 milionë (306,300,000 lekë). Stadiumin Selman Stërmasi ku dhe vazhdohet të luhet, tashmë klubi do ta kishte thjesht në përdorim. Nga qershori 2014 pronarja e Selman Stërmasit do të ishte Bashkia.
Kjo lëvizje kapitali u fsheh me synimin për t’i kaluar aksionet kryesore të klubit shoqërisë Halili shpk.
Më 15 shtator 2014 66% të aksioneve të KF Tirana i kaluan kompanisë Halili shpk. Këto aksione vlerësoheshin €1.4 milionë (202,300,000 lekë). Bashkia do të mbante 34% të aksioneve me vlerë €765 mijë (104,000,000 lekë).
Kalimi u justifikua si njohje të kontributeve që Halili shpk kishte bërë ndër vite për të mbuluar si donator – mbi kontratat sponsorizuese – aktivitetet sportive. Por tashmë KF Tirana ishte thjeshtë shoqëri sportive, pa terrene, pa prona.
Fillë pas kalimit të aksioneve Halili shpk shkoi në sintoni me propagandën e Bashkisë që ndryshoi drejtim, duke investuar në rikonstruktimin e Stadiumit Selman Stërmasi, të cilin KF Tirana thjesht e kishte në përdorim.
Propaganda sidoqoftë nuk e ka fshehur dot faktin se Tiranës i qenë hequr asetet, por jo borxhet dhe se investimi i Halili shpk ka qenë pa sens.
Sipas pasqyrave financiare të paraqitura në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në vitin 2016, KF Tirana raportonte se kishte €3,3 milionë (433,573,406 lekë) detyrime të krijuara kryesisht nga vitet e shkuara. Kjo shumë e stërmadhe nuk është tkurrur. Në pasqyrën financiare të vitit 2018, KF Tirana rezulton ende me rreth €3,1 milionë (411,300,602 lekë) detyrim.
Pra i ashtuquajturi ndryshim i kapitaleve i vitit 2014 nuk e ndihmoi aspak klubin për të dalë nga situata e vështirë financiare që kishte. Kjo situatë shpjegon se përse së fundmi Erion Veliaj është i gatshëm t’i heqë edhe 34% të aksioneve që zotëron Bashkia, sepse KF Tirana nuk nxjerr para.
Por pse Bashkia i hoqi pasuritë e paluajtshme KF Tirana dhe kush janë planet e së ardhmes?
Arsyeja se përse Stadiumi Selman Stërmasi dhe asetet e tjera iu hoqën klubit është se Bashkia donte që këto asete të mos bllokoheshin nga gjendja financiare e klubit. Për sa i përket planeve, ato janë përfolur shumë së fundmi dhe janë për një stadium si Arena Kombëtare, ku prej faktit që vetë Veliaj e merr si krahasim, nuk përjashtohet as ndërtimi i kullave.
Me stadiumin Selman Stërmasi të papërfshirë në borxhet e KF Tirana, Bashkia, si pronare, mund të zbatojë të njëjtën skemë me atë të Qeverisë në rastin e Arenës Kombëtare. Toka publike kalohet te privati, i cili merr përsipër të ndërtojë stadiumin dhe si shpërblim merr edhe hapësirë ndërtimi për kullë.
Çështja është kush do të jetë kompania që do ta fitojë pa garë këtë partneritet publik-privat të radhës, Halili shpk, që njihet edhe për investimet në fushën e ndërtimit dhe që po shlyen borxhet e KF Tirana, apo ndonjë kompani tjetër?!