Stefano Boeri mbjell beton në vend të gjelbërimit

Stefano Boeri mbjell beton në vend të gjelbërimit

Megjithëse Kryebashkiaku Veliaj nuk ka dhënë asnjë informacion për shkollat e reja që do të ndërtohen, arkitekti italian Stefano Boeri ka bërë publike projektin e tyre.

Në revistën ndërkombëtare të arkitekturës ArchDaily, Stefano Boeri, i njëjti arkitekt që ka bërë dhe masterplanin Tirana 2030, ka shpjeguar se “shkollat do të jenë hapur 24 orë në ditë, çdo ditë të vitit, duke u transformuar kështu në qendra sociale për banorët e çdo grupmoshe.”

Tre shkollat, që do të kenë një sipërfaqe totale prej rreth 30 mijë metrash katrorë, do të përmbajnë godina për çerdhe, kopsht, shkollë 9-vjeçare dhe shkollë të mesme. Shkollat e reja do të përdorin materiale tradicionale të Tiranës – tulla të kuqe dhe çimento të bardhë.

“Shkollat tona do të jenë sheshet urbane të këtyre zonave: do të përdoren nga nxënësit gjatë orarit të shkollës dhe nga komuniteti gjatë fundjavës dhe pushimeve.”

Nga shpjegimi i Boerit kuptohet shkollat do të ndërtohen në zonën e Don Boskos, Kodër-Kamzës dhe pranë sheshit Shqiponja.

Arkitekti Boeri tregon se ekipi i punës për këto projekte është i njëjtë me ekipin që hartoi Masterplanin Tirana 2030.

“Klienti”, pra kompania që ka porositur projektet është “Agikons Construction”, që ka fituar Partneritetin-Publik-Privat për ndërtimin dhe menaxhimi e shkollave nga Bashkia Tiranë.

Nga fotot duket qartë se, projektet janë ‘projekte për Shqipërinë’ dhe jo projektet e famshme plot gjelbërim të cilat e kanë bërë Boerin të famshëm nëpër botë.

Renderi për shkollat me PPP në Tiranë
Renderi i shkollave me PPP në Tiranë

Në të tre projektet vihet re mbizotërimi i volumit të ndërtimit përkarshi hapësirës së kufizuar të hapur dhe oborreve aq shumë të dëshiruara dhe nevojshme për shkollat e Tiranes, ku hapësirat e gjelbëruara për të luajtur janë kthyer në luks.

Nëse Boeri do të ishte thjesht arkitekti i këtyre projekteve, atëherë përqasja e tij dhe rezultati i projekteve të tij mund të justifikohej: këtë projekt kërkoi klienti, ndaj këtë projektova.

Por në rastin e Stefano Boerit, justifikimet janë pak të vështira për t’u gjetur, pasi ai është dhe autori i planit të qytetit deri në vitin 2030. Është ai, të paktën zyrtarisht, që ka hedhur parimet e planit dhe këto parime shtrihen deri tek shkollat që do të ndërtohen dhe për një funksion tjetër: si qendra komunitare.

Një nga parimet kryesore të një plani, sidomos për Tiranën, do të duhej të ishte respektimi i balancës midis asaj që ndërtohet dhe hapësirës së pandërtuar, asaj që kthehet në park apo shesh publik, apo ambiente sportive.

Duke qenë se shkollat e projektuara i ngjajnë më shumë ndërtimeve komerciale sesa shkollave që ndërtohen sot në Europë, shkollat dhe plani i Boerit e Kryebashkiakut Veliaj premtojnë një Tiranë të mbindërtuar, me gjelbërimin të shpërndarë si garniturë anash grumbullit të metrave katrorë të betonit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>