Gjykata e Strasburgut i kërkon shtetit shqiptar të mos dëbojë në Turqi shtetasin turk Selami Simsek pa përfunduar procedurat gjyqsore.
Masa e sigurimit të padisë iu është komunikuar palëve ditën e sotme, raporton Balkanweb.
Selami Simsek u arrestua bashkë me një shtetas tjetër turk Harun Çelik në vitin 2019, teksa po udhëtonin përmes aeroportit të Rinasit për në Kanada me pasaporta false.
Në mbrëmjen e 1 janarit 2020, qeveria shqiptare deportoi shtetasin turk Harun Çelik, të cilin Turqia e akuzon si të lidhur me lëvizjen Gylen. Këtë të fundit Turqia e quan organizatë terroriste.
Çelik kishte kërkuar azil politik, por qeveria shqiptare e dorëzoi atë tek autoritetet turke jo sipas procedurave të duhura. Kjo solli reagime dhe kritika nga Këshilli Europës, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimit Europian.
Presioni ndërkombëtar bëri që shteti shqiptar të mos dëbonte po aq shpejt Selami Simsekun i cili kërkoi gjithashtu azil në Shqipëri por që iu refuzua.
Simsek paditi Komisionin për Azil pasi ai refuzoi kërkesën e tij për azil në Shqipëri dhe i kërkoi gjithashtu gjykatës pezullimin e ekzekutimit të këtij vendimi.
Gjykata Administrative e rrëzoi kërkesën e shtetasit turk pasi sipas tyre atij nuk i rrezikohet jeta në Turqi.
Simsek pretendon se persekutohet nga shteti turk pasi e akuzojnë si të përfshirë në veprimtari të jashtligjshme me lëvizjen Gylen.
Tashmë në Shqipëri atij i ka ngelur apelimi i vendimit të Gjykatës Administrative.
Me vendimin e sotëm, Gjykata e Strasburgut kërkon të parandalojë ekstradimin e tij në Turqi para përfundimit të të gjitha procedurave ligjore.