Strategjia e vetme e opozitës: negociata me popullin

Nga Neritan Sejamini
Strategjia e vetme e opozitës: negociata me popullin

Kryeministri Rama nuk do ta japë asnjëherë dorëheqjen dhe në Shqipëri nuk do të ketë qeveri kalimtare. Nuk do të ketë as zgjedhje të parakohshme—zgjedhjet e ardhshme do të mbahen në qershor 2021.

Përjashto ndonjë ndodhi të paparashikueshme (ka pak gjasa për këtë), pohimet e mësipërme janë të sigurta.

Çdo lloj këmbënguljeje e opozitës që Rama të japë dorëheqjen apo për të mbajtur zgjedhje të parakohshme do të jetë shpërdorim i kohës dhe i energjive të saj. Do të jetë edhe krijim i panevojshëm iluzionesh dhe shpresash të rreme, të cilat do t’u sjellin zhgënjim atyre që i besojnë.

(Nuk dua të zgjatem këtu për faktin se, edhe sikur të ishin të mundshme, këto objektiva janë shterpë politikisht—e kam argumentuar këtu disa muaj më parë.)

Politika ka natyrë strategjike: rezultati i veprimeve politike nuk varet vetëm nga dëshirat dhe zgjedhjet e njërit, por edhe nga dëshirat dhe zgjedhjet e kundërshtarit—ndaj në vendimarrjen politike duhen marrë gjithmonë parasysh veprimet apo kundërveprimet e mundshme të kundërshtarëve (dhe faktorëve të tjerë).

Në analizë strategjike, bazuar nëatë se si janë gjërat sot, Edi Rama nuk ka arsye të japë dorëheqje dhe as të mbajë zgjedhje të parakohshme. Ndërkohë, opozita nuk ka asnjë mjet dhe mundësi ta detyrojë për këto.

Mbasi opozita nuk e detyroi dot të jepte dorëheqjen me braktisjen e Kuvendit, protestat në rrugë dhe bojkotin e zgjedhjeve, është e asyeshme të mendosh se nuk mund ta detyrojë Ramën të ikë duke e nxitur atë të reflektojë si “patriot” apo si maqedonas.

Qytetarët, që mund ta detyronin, nuk duket se zhgënjimin e tyre do ta kthejnë në ndonjë lëvizje për largimin e Ramës—ndërkohë mbetet fakti kokëfortë (dhe tragjik) se Rama është ende politikan popullor dhe i votuar.

Komuniteti ndërkombëtar, edhe pse më i vetëdijshëm për autokracinë dhe abuzimet e Ramës, për arsye strategjike, për inerci apo nga mosbesimi i përgjithshëm i politikës shqiptare, është duke bërë atë që bën më rëndom, ruajtjen e status quo-së, pa pritur ndryshim të qeverisë para zgjedhjeve të vitit 2021.

Ndërkohë, goditja që mund të ketë marrë Rama tani me moshapjen e negociatave mund t’i kthehet në bekim nesër. Me gjasa, Shqipërisë dhe Maqedonisë do t’i hapen negociatat rreth majit 2020—refuzimi për herë të dytë i tyre do të dëmtonte vërtet rëndë besueshmërinë e BE-së, çfarë mund ta bëjë Makronin të reflektojë.

Duhet pasur parasysh, gjithashtu, se deri atëherë do të jenë plotësuar, të paktën në mënyrë sipërfaqësore, shumica e kushteve të Bundestagut.

Gjykata Kushtetuese dhe e Lartë do të krijohen në 3-4 muajt e ardhshëm. Po ashtu SPAK, i cili nën trysninë e huaj do të nisë ndonjë proces për korrupsion—këto hetime mund të zvarriten me vite, por në fillim ato mund të shiten si luftë ndaj korrupsionit të lartë. Me të njëjtën qasje, do të nisë me siguri edhe ndonjë hetim sipëfaqësor për manipulimin e votave.

Brenda janarit të ardhshëm duket se do të miratohet, gjithashtu, edhe reforma zgjedhore.

Të gjitha këto zhvillime do të rrisin gjasat e një vendimi pozitiv për hapjen e negociatave më 2020.

Nëse do të ndodhë, Rama do të shpallë disa herë triumfin e tij, fillimisht në maj 2020 kur merret vendimi i Këshillit, pastaj nga mesi i vjeshtës 2020 kur do mbahet konferenca e parë ndërqeveritare, dhe sërish diku nga pranvera 2021, kur do të hapet kapitulli i parë i negociatave.

Kështu, ai do të shkojë drejt zgjedhjeve të vitit 2021 me energji dhe propagandë të rilindur.

Ndërkohë, Edi Rama ka filluar që tani nxitjen dhe sponsorizimin direkt apo indirekt të krijimit të aktorëve politikë jashtë opozitës së bashkuar—parti apo lëvizje të reja politike. Edhe pse, me gjasa, do të kenë sukses minimal apo zero zgjedhor, ato do të jenë efikase në fragmentimin e votës kundër—një pjesë e kësaj vote në vend që t’i shkojë opozitës të sotme, do të shpërndahet në parti jashtë saj.

Gjithashtu, këto parti apo lëvizje të reja do të relativizojnë të keqen e Ramës, duke i sulmuar njësoj të gjitha krahët politikë, si pjesë e një elite politike të dështuar, duke dobësuar legjitimitetin e opozitës në përqafimin e kauzës së ndryshimit.

Opozita duhet të mendojë strategjikisht dhe të planifikojë veprimet dhe kundërveprimet e saj duke marrë parasysh të gjitha këto zhvillime dhe veprime të pritshme të Edi Ramës.

Mbi të gjitha, ajo duhet të veprojë me supozimin se zgjedhjet e vitit 2021 nuk do të jenë as tërësisht të lira dhe as të ndershme—Rama do të manipulojë një pjesë të votës.

Në këto kushte, opozita ka vetëm një veprim të bëshëm strategjik: synimin e mbështetjes masive të shqiptarëve—nëse i gjithë populli është me të, Edi Rama nuk i vjedh dot zgjedhjet, në asnjë rrethanë dhe me asnjë mënyrë.

Për të qenë realist: nëse opozita merr votat e militantëve të saj, merr pjesën dërrmuese të votuesve të lëkundur, arrin të bindë të dalin në votime një pjesë e atyre që sot nuk duan të votojnë, atëherë ajo do të sigurojë votën masive të shqiptarëve—sikurse Edi Rama mori 1 milionë vota në vitin 2013.

Edhe sikur të vjedhë vota në mënyrë industriale, Edi Rama do ta ketë të pamundur të përmbysë rezultatin dhe të mbajë pushtetin përballë një milion votave të opozitës—nga rreth 1,6 milionë votues, sa kanë votuar në tre zgjedhjet e fundit.

Pikërisht, arritja e “1 milion votave” duhet të jenë synimi dhe strategjia e opozitës dhe jo orvatja për të prekur apo edukuar Edi Ramën “të ikë” apo “të hapë krahun” për të mirën e Shqipërisë.

Opozita duhet t’i drejtohet popullit dhe jo Ramës. Ajo duhet të kërkojë marrëveshje me popullin dhe jo me Ramën. Ajo duhet ta gjejë zgjidhjen tek populli dhe jo tek Rama.

Marrëveshja me popullin është e thjeshtë: njerëzit duan të luftohet krimi e korrupsioni, të çlirohet ekonomia dhe mundësitë e kapura nga oligarkët dhe klientët e qeverisë; të çlirohet politika nga autokracia dhe pushteti i pathyeshëm i kryetarëve.

Në shkëmbim, njerëzit janë të gatshëm t’i japin votën masive opozitës.

Dhe njerëzit fitohen me ide, me frymë, me besim.

Sot, shqiptarët presin nga opozita ide dhe jo muskuj, presin shpjegime dhe jo sharje, presin vizion për ndryshim dhe jo ankesa.

Shqiptarët presin nga opozita, veçanërisht nga PD, t’u tregojë një ekip të ardhshëm qeverisës të aftë, të përkushtuar, që ngjall shpresën se ka kurajën të luftojë krimin, korrupsionin, oligarkinë dhe monopolet, pa u shitur dhe korruptuar si të tjerët para tyre.

Për çdo gjë tjetër shqiptarët kanë Edi Ramën.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>