Meqenëse në Afganistan ka filluar rezistenca e armatosur nën drejtimin e presidentit Amrulla Saleh dhe Ahmad Masoud-it kundër Talebanëve dhe aleatëve të saj, më poshtë po botoj një analizë të detajuar të situatës së sigurisë në këtë vend.
Meqënëse që nga rënia e Kabulit, e gjithë bota, lajmet ndërkombëtare, portalet, televizionet, analistët e sigurisë, mbrojtjes dhe inteligjencës i kanë drejtuar sytë nga rezistenca Afgane dhe lidershipi i saj i dislokuar në Luginën e Panjshir-it, gjykoj se është në interes të lexuesit Shqiptar që si studiues dhe botues i rregullt i Afganistanit, të bëja një analizë faktesh, rrethanash dhe skenarësh taktikë, operacionalë dhe strategjikë në lidhje me terrenin, njësitë dhe kapacitetet luftarake, avantazhet, disavantazhet e kësaj aleance dhe më e rëndësishmja mbështetja e menjëhershme e tyre nga perëndimi.
Së pari, terreni në të cilin është vendosur shtabi drejtues i drejtuesve të rezistencës kundër Talebanëve afganë, përbëhet nga një terren i cili ofron mbrojtje të fuqishme natyrale. Tre pikat e saj më të larta strategjike nuk janë pushtuar asnjëherë. Edhe gjatë dy ofensivave Sovjetike në vitin 1983 dhe 1984-1985, forcat Sovjetike dhe afgane të përbëra nga dy divizione këmbësorie, tre brigada të motorizuara afgane, forcat speciale ruse Spetsnaz, Khad-it afgan me mbështetjen e aviacionit Sovjetik Mig-21, Mig-23, SU-22 dhe helikopterët e sulmit MI-24, përsëri nuk arritën të futeshin asnjëherë në Luginë. Mbrojtja natyrale e kombinuar me ndërtimin e hendeklidhjeve, pozicioneve të mbrojtjes, njohja e mirë e terrenit në bashkëpunim me eksperiencën e lartë luftarake të gjeneralit Ahmad Sha Masoud dhe muxhahedinëve të tij e bën të pamundur pushtimin e saj. Në raport me ditët e sotme, Talebanët nuk kanë këtë mbështetje me zjarr dhe këtë organizim ushtarak.
Së dyti, lugina e Panjshir-it është një terren i ngushtë, kufizohet nga male të larta dhe e vështirëson në maksimum realizimin e operacioneve luftarake për kryerjen e manovrave krahmarrëse dhe kufizon ndjeshëm manovrimin e mjeteve të blinduara dhe të njësive të këmbësorisë. Lumi i thellë i Panjshir-it, i cili e përshkon atë në mes është i thellë, i rrëmbyeshëm dhe shërben më vete nga njëra anë si pengesë natyrale, por nga ana tjetër ndihmon popullsinë lokale për të siguruar ujin e pijshëm dhe përdorimin e tij për bujqësi dhe blegtori. Në një rrethim të mundshëm nga të gjitha anët nga Talebanët, prezenca e saj merr një rëndësi strategjike.
Së treti, në rast se trupat e armatosura Talebane do të përpiqen të fillojnë ekzekutimin e një operacioni luftarak (për të cilin unë mendoj se janë në konsultime me Pakistanin se kur, kush, si dhe me çfarë mjetesh do ta realizojnë atë), ky territor do të mundësojë lehtësisht goditjen e mjeteve të blinduara të Talebanëve nga të katër drejtimet, duke realizuar operacione të sukseshme të luftës kundërtanke. Prishja, dëmtimi dhe bllokimi i mjeteve të para të blinduara, nga njëra anë do të shërbejë si pengesë për kalimin e mjeteve të tjera të blinduara në vijimësi, nga ana tjetër do të diskretitojë fuqinë dhe legjitimitetin e strategjisë së “suksesshme” të njësive ushtarake Talebane, do të ulë moralin e muxhahedinëve të saj dhe do t’i diskretitojë përpara botës perëndimore.
Së katërti, liderdshipi i rezistencës përbëhet nga njerëz që kanë eksperiencë të gjatë, të suksesshme dhe kanë mbështetje të gjerë tek popullsia civile kundër Talebanëve që nga viti 1991 dhe deri në ditët e sotme. Këtu mund të përmendim gjeneral Abdul Rashid Dostun, gjeneral Bismilah Khan Mohammad, presidentin Amrullah Saleh dhe profesorin Mohammed Atta Noor.
Së pesti, sasia e forcave që po përqëndrohen në Luginë përbëhet nga elita e forcave speciale dhe komando të ushtrisë Afgane, numri i të cilëve deri më sot ka shkuar në mbi 7000 komando. Për më tepër, në shtesë të tyre duhet përmendur edhe personeli pilot afgan, pjesëtarët e shërbimeve sekrete, pra shumë persona nga Drejtoria Kombëtare Afgane e Sigurisë, të cilët 12 vitet e fundit kanë qënë në terren duke u përballur me Talebanët dhe mbështetësit e tyre.
Gjykoj që është në interes të lexuesit Shqiptar të japim disa informacione mbi njësitë e forcave speciale dhe komando Afgane. Ato përbëhen nga 7 batalione me rreth 24300 trupa. Nga këto, pas thirrjes që bëri presidenti Saleh, ministri i mbrojtjes gjenerali Dostum dhe gjenerali Mohammad shumë prej tyre dezertuan dhe së bashku me armatimet dhe pajisjet luftarake u drejtuan në Luginën e Panjshir-it. Në Panjshir deri tani janë grumbulluar mbi 7000 komando dhe shumë pjesëtarë nga njësia e operacioneve speciale që përbëhej nga rreth 500 forca speciale. Trupat komando përbëhen nga efektivët e batalionit “Selab”, batalionit “Shaheen”, batalionit të Gardezit, batalionit komando të qytetit Mazar-e-Sharif, batalionit komando të Konduzit, batalionit komando “Kobra” të distriktit Sherzad në provincën Nargarhar, batalionit komando të provincës në Khost-it, batalionit komando të provincës Oruzgan me rreth 200 trupa, etj.
Këto forca e njohin mirë njëri tjetrin, kanë besim tek lidershipi i tyre, janë stërvitur me të njëjtat SOP-i, nuk kanë humbur asnjë betejë kundër Talebanëve deri më sot dhe janë të vetmet njësi që Talebanët ju shmangen në luftim, duke u përballur me ta vetëm nëpërmjet sulmeve asimetrike me makina bombë dhe me kamikazë. Kjo sasi cilësore forcash tregon se lidershipi i Luginës së Panjshir-it ka në dispozicion kapacitete të larta për të zhvilluar luftë asimetrike, goditje në thellësi të qëndrave Talebane të komandim-kontrollit, kundër mjeteve ajrore të cilat sot janë në dorë të Talebanëve, organizimin e pritave në prapavijë të Talebanëve, ekzekutimin e operacioneve special në çdo kohë dhe në çdo vend, ndërkohë që njësitë Talebane do të fillojnë ofensivën kundër Luginës. Një pjesë e mirë e këtyre forcave do të urdhërohen që të fillojnë organizimin e luftës guerrile në prapavijë të Talebanëve dhe do të stërvisin me taktika më të avancuara milicitë lokale.
Së gjashti, në mbështetje të njësive të Luginës kanë shkuar edhe disa mjete ajrore të forcës ajrore Afgane si helikopterët: MI-24, MI-17, UH-69 Black Hawk, UH-60 A dhe një sasi dronesh të zbulimit ScanEagle, të cilat në bashkëpunim me forcat speciale dhe komando do të rrisin kapacitet luftarake të rezistencës, mbështetjen logjistike për furnizim me pajisjeve luftarake ose evakuimin e luftëtarëve të plagosur. Duhet theksuar se përdorimi i tyre mund të jetë i kufizuar, pasi Lugina ndodhet e rrethuar nga territore të cilat aktualisht janë nën kontrollin e Talebanëve. Më e rëndësishme për tu theksuar është se shërbimi sekret ISI pakistanez ka dërguar në territorin e Afganistanit njësitë e saj më elitë për të drejtuar këtë ofensivë dhe pajisja e tyre me raketa moderne kundërajrore si: FIM-92 Stinger, RSB 70, MK1, MK2 Bolide dhe FN-6 SA në gjykimin tim do ta kufizojë përdorimin e tyre me efikasitet.
Së shtati, sasia e armëve kundërtanke, armatimi i rëndë, artileria 122 mm dhe 152 mm, raketat moderne kundërtanke, mbrojtja e skalionuar, etj do të vështirësojnë avancimin e mjeteve të blinduara Talebane.
Së teti, nëse e analizojmë nga ana strategjike terrenin në të cilin veprojnë forcat anti Talebane, ai është kryesisht në avantazh, pasi ndodhet në kufi me Uzbekistanin dhe Taxhikistanin dhe në rast koordinimi të mirë me forcat dhe milicitë e provincave të tjera do të sigurojë mbështetje logjistike nga vendet fqinje dhe një mbrojtje të fuqishme rrethore. Nëse përgjatë gjithë këtyre rrugëkalimeve sulmohen forcat Talebane, ndërrpriten rrugët e komunikimit dhe të furnizimit, do të asgjësohen autokolonat pjesë pjesë, atëherë Talebanët do të lodhen, morali i tyre do të bjerë, mbështetja e tyre dhe frika e popullsisë civile do të ulet dhe rezistenca do të jetë më efektive.
Për më tepër, koordinimi i provincave Balkh, Takhar, Badakhshan, Samangan, Parëan, Kapisa, Baghlan, Ghor dhe Badghis të cilat përbëjnë rreth 25 për qind të popullsisë së përgjithshme të Afganistanit (rreth 11.5 milionë), do të bëjë të mundur që së bashku me provincat uzbeke si Ghazni, Mazar-e-Sharif dhe Konduz të forcojnë së tepërmi rrezistencën.
Së nënti, këtij bashkëpunimi në gjykimi tim do t’i shtohet edhe komuniteti uzbek prej dy milionë banorësh të cilët jetojnë në provincat Faryab, në qytetin Faizabad të provincës Badakhshan ku gjenerali Abdul Rashid Dostun ka lidhje të fuqishme dhe sasi të konsiderueshme ushtarake dhe milicish të armatosura.
Në shtesë sa më lart, bashkëpunimi me komunitetin Hazara, i cili përbëhet nga 8 milionë banorë dhe në përbërje të së cilit veprojnë rreth 8 brigada këmbësorie, 2 batalione komando dhe disa njësi artilerie të rëndë, mund të koordinojnë së bashku një mbrojtje të thellë, rrethore të provincave të tjera në Luginën e Panjshjir-it, në mënyrë që të mbajnë të hapura rrugët e komunikimit me njëra tjetrën. Organizimi i mirë i rezistencës nga komuniteti Hazara mund të ngadalësojë ndjeshëm avancimin e Talebanëve të thellësi të vendit, sodomos në provincat Bamyan, Daykundi, Ghor, Uruzkan dhe Wardak ku ndodhet shkolla e forcave speciale afgane.
Së nënti, një rol të rëndësishëm në organizimin e rezistencës në gjykimin tim do të luajë rrjeti i fuqishëm dhe sekret i inteligjencës afgane i krijuar për rreth 20 vite nga Amrullah Saleh, një pjesë e madhe e të cilëve ose janë në Luginën e Panjshir-it ose janë urdhëruar që të aktivizojnë rrjetet e kërkim-shpëtimit, luftës guerrile dhe grupeve të sabotazhit në të gjithë territorin. Një pjesë e tyre ose kanë qënë celula të fjetura ose celula të gatshme për të vepruar në momentin e dhënies së urdhërave. Gjithashtu roli dhe informacionet e tyre do të jenë shumë të rëndësishme sa i përket strategjisë që do të ndiqet kundër forcave Talebane. Ata do të jenë çelësi i informacioneve në lidhje me rrugët e afrimit, sasisë së forcave dhe mjeteve, terrenit, qëllimeve të fushatës së Talebanëve, kohës së veprimit, etj informacione që në shumicën e rasteve do të përcaktojnë fitoren kundër tyre.
Së dhjeti, dëshiroj të sjell në vëmendje të lexuesit Shqiptar faktin se suksesi i rezistencës afgane do të varet shumë nga mbështetja sa më e shpejtë e tyre nga komuniteti ndërkombëtar sidomos SHBA-të dhe Europia. Deri tani ka ofruar asistencë vetëm shërbimi sekret indian RAW-i, por në gjykimin tim mbështetja do të vijojë në të ardhmen edhe nga Irani, Turkmenistani, Uzbekistani, Taxhikistani dhe Rusia.
Gjashtë muaj përpara se të vritej, në muajin mars të vitit 2001 gjenerali Ahmad Shah Masoud i bëri thirrje drejtuesve më të lartë të Bashkimit Europian që ta ndihmonin në ofensivën kundër Talebanëve, pasi ai nuk po luftonte kundër tyre por kundër Pakistanit. Ai e deklaroi kwtw nga tribuna e Parlamentit Europian duke deklaruar se në rast të kundërt Al-Qaeda do të realizonte sulme terroriste me avionë në SHBA dhe në Europë. Asnjë nga vendet Europiane nuk e ndihmoi dhe pas gjashtë muajsh al-Qaeda realizoi sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001. Sot dhe asnjë ditë më vonë, lidershipi më i lartë politik në SHBA dhe Europë duhet ta kuptojnë se kanë përgjegjësi të madhe për mbështejen e tyre. Nëse do t’i lihet kohë qeverisë terroriste Talebane të forcohet, do të jetë tepër vonë pasi Afganistani që tani është kthyer në bazë operacionale për operacionet terroriste, pasi në territorin e saj operojnë rreth 22 grupe terroriste (për të cilat do të bëj një shkrim tjetër më të detajuar), historia e të cilave është shumë e trishtueshme.
Në mbyllje, Irani është i vetmi shtet që ka mbështetur gjatë luftës kundër Talebanëve dhe koordinatori kryesor në atë kohë ka qënë komandanti i forcave Quds gjeneral brigade Qassen Soleimani, i cili kishte krijuar një lidhje shumë të fortë me gjeneral Masoud-in gjatë viteve 1996-2001.
Si përfundim, duke analizuar ofensivën e organizuar vetëm dje nga forcat e grumbulluara rishtaz në Luginën e Panjshir-it, ku u mundësua rimarrja nga kontrolli i Talebanëve i tre distrikteve afgane: Pul-e-Hesar, Deh Salah dhe Banu, del se nëse do të kemi një organizim më profesional dhe me pak mbështetje nga perëndimi, rezistenca që po organizohet në Luginën e Panjshir-it jep shenja optimizmi se do ta vështirësojë ndjeshëm qeverisjen e Talebanëve dhe aleatëve të tyre.
Shënim: Asnjë rresht i botuar në këtë shkrim nuk është përkthyer nga ndonjë material i botuar në perëndim ose diku tjetër. Ky shkrim është krejtësisht ekskluzivitet i autorit D.D*.