Studentët kërkuan dorëheqjen e ministres së Arsimit Evis Kushi, pas deklaratës që ajo bëri të dielën.
Ministrja deklaroi se qeveria do të identifikojë nëpër shkolla, fëmijët që po marrin pjesë në protesta për t’i trajtuar psikologjikisht.
Lëvizja për Universitetin tha të hënën përmes një postimi në Facebook, se ministrja Kushi ka tentuar të “nëpërkëmbë frymën e protestës së të rinjve”.
Ata kërkojnë dorëheqjen e ministres Kushi për 4 arsye:
- Akuza për plagjiaturë të punimit shkencor të doktoraturës
- Dështimi i mësimit online
- Keqmenaxhimi i shkollave në gjendje pandemie
- Deklarata përçmuese
“Ministrja Kushi duhet të shqetësohej për fëmijët dhe mësuesit që përdoren për fushata elektorale dhe propagandë mediatike. Ajo duhet të shqetësohej për raportet e Bankës Botërore, ku 50% e 15-vjeçarëve në Shqipëri janë analfabetë funksionalë për shkak të hendekut të madh të pabarazive sociale. Hendek ky i cili thellohet akoma më shumë me ligjin e arsimit të lartë, ku studentët kthehen në klientë që peshohen nga xhepat”, thuhet në deklaratë.
Evis Kushi u emërua ministre e Arsimit në muajin shtator pas dorëheqjes së Besa Shahinit.