Studentët kundër mësimit online, nuk besojnë tek pandemia

Nga Exit News
Studentët kundër mësimit online, nuk besojnë tek pandemia

Shumë prej studentëve që po protestojnë tek Ministria e Arsimit kundër zhvillimit të mësimit online, nuk besojnë tek pandemia e Covid-19.

Studentët, një pjesë e mirë e të cilëve nuk mbajnë as maska, shprehen se duan të kthehen në auditore pasi Covid-19 nuk është i rrezikshëm dhe nuk ekziston.

Shumë të tjerë thonë se vendimi i ministrisë për të zhvilluar mësimin online u mor vetëm tre ditë përpara fillimit të mësimive, kur shumica e studentëve nga rrethet kishin paguar shtëpitë me qira.

Të tjerë thanë se e provuan në periudhën mars-qershor zhvillimin e mësimit online dhe ai nuk rezultoi i suksesshëm dhe i vlefshëm për studentët.

Exit News sjell më poshtë disa prej deklaratave të studentëve për gazetarët:

“Mësimi on line është qesharak, studentët të luftojnë që mësimi të jetë i vlefshëm, të mos tallen me studentët. Shkolla duhet të bëhet normalisht. Mësimi on line predikon injorancë. S’ka pandemi, s’ka asgjë, nuk besojmë te pandemia.”

“Eshtë e lehtë të thuash mësim on line, por kushtet ekonomike të shqiptarëve nuk e lejojnë një gjë të tillë. Ne do vijojmë deri sa të na dëgjohet zëri.”

“Kam paguar shtëpinë me qira për tre muaj. Jemi nga rrethet, nuk jemi të gjithë tironsa. Kërkojmë të kthehemi në auditore, të marrim eksperiencën që duhet, e provuam njëherë, kemi mangësi në mësime.”

“Vendimarrja tre ditë para se të fillonte mësimi shkaktoi te ne revoltë dhe habi, edhe drejtuesit e universitetit u gjendën të pa përgatitur, imagjinoni studentët e vitit të parë që kanë paguar qiratë për apartamente. Ne kërkojmë që seminaret t’i kthejmë në auditore, ndërsa kërkojmë edhe përgjysmim të tarifave duke qënë se kanë vendosur këtë format.”

“Të na kthejnë lekët që kemi paguar për tarifat. Ne e provuam mësim on line njëherë dhe nuk ishte efektiv.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>