Studentët nga rrethet në pamundësi për të ndjekur leksionet online

Nga Exit News
Studentët nga rrethet në pamundësi për të ndjekur leksionet online

Një pyetësor i Unionit të Këshillave Studentorë (UKS) nxorri në pah se shumica e studentëve po përballen me presion nga stafi pedagogjik për të frekuentuar leksionet online pavarësisht se disa prej tyre e kanë ekonomikisht të pamundur t’i ndjekin ato.

Prej më shumë se një muaji universitetet kanë ndërprerë mësimin në auditore për shkak të epidemisë së koronavirusit.

Leksionet dhe seminaret janë zhvendosur në platformat online, mirëpo jo çdo student e ka të mundur t’i aksesojë ato.

UKS pyeti 2 000 studentë nga të gjitha universitetet e vendit dhe nxorri në pah:

  • pamundësinë ekonomike për akses të rregullt në internet – më së shumti studentët që jetojnë në rrethe
  • mungesën e pajisjeve të nevojshme për mësim online, për të cilat nevojiten shpenzime ekstra
  • presion nga stafi pedagogjik për frekuentimin e mësimit, pa marrë parasysh kushtet në të cilat ndodhen studentët

Leksionet online janë metodologji e papraktikuar më parë në Shqipëri, megjithatë mbi 67 për qind e studentëve të pyetur shprehen se në varësi të situatës, vendimi për të vazhduar mësimet online ishte i drejtë.

Gjatë këtij sezoni mësimi është ndërprerë rreth një muaj edhe pas tërmeteve të shtatorit dhe nëntorit 2019.

Sidoqoftë shumë pak prej studentëve – rreth 18 për qind – kanë kanë nivel të lartë informacioni mbi zhvillimin e mësimit online ndërkohë që rreth 80 për qind e tyre i ndjek ato përmes celularit.

Pikërisht mungesa e kompjuterave, laptopëve apo vështirësia ekonomike për të përballuar paketat e internetit janë disa nga vështirësitë që përballen studentët në rrethe.

Me konstatimin e kësaj gjendjeje, UKS i bëri thirrje institucioneve arsimore që të merren parasyshë kushtet me të cilat ndodhen studentët.

Njëkohësisht UKS kërkoi që pagesat e semestrit të dytë të viteve akademike të shtyhen, duke bërë kështu të mundur që familjet e studentëve të mos rëndohen më tepër nga situata e epidemisë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>