Studentët kanë nisur sërish sot, në ditën e katërt, marshimin drejt Ministrisë së Arsimit. Studentët janë nisur nga fakultetet e Shkencave të Natyrës, Mjekësisë, Ekonomikut, Drejtësisë e Shkencave Sociale.
Pritet që sot studentëve t’i bashkohen dhe studentë të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe Universitetit të Elbasanit.
Ndërkohë studentët po protestojnë dhe në Shkodër, Vlorë dhe Korçë.
Megjithëse një ditë më parë, pas një proteste masive, Ministria e Arsimit deklaroi se do të shfuqizojë VKM-në që parashikon tarifat shtesë për provimet e përsëritura, studentët shprehen të vendosur për të vazhduar protestat deri në plotësimin e të gjithë kërkesave që kanë paraqitur gjatë këtyre ditëve:
– Shfuqizimi i VKM nr 288 pika numër 4 e cila parashikon pagesë ekstra për çdo provim të përsëritur;
– Përgjysmim i tarifave të studimeve;
– Përmirësim i kushteve të konvikteve;
– Të ketë një përfaqësues të studentëve në bordin e universiteteve.
Studentët e Universitetit Bujqësor të Kamzës kanë paraqitur 10 kërkesa të reja:
1- Paisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018 – 2019;
2- Rritja e buxhetit për arsimin me 8 për qind të GDP-së, buxheti për vitin 2019;
3- Reduktimi tarifës me 30 për qind për vitin akademik 2018 – 2019;
4- Reduktimi tarifes me 50 për qind për vitin akademik 2019 – 2020;
5- Arsim publik falas për vitin akademik 2020 – 2021;
6- Përmirësimi i kushteve të konvikteve të Universitetit Bujqësor të Tiranës;
7- Mbështetja e aktiviteteve dhe projekteve të studentëve me një fond të veçantë, nivel fakulteti;
8- Mbështetje e studentëve për kërkime shkencore;
9- Mbështetje e studentëve të doktoraturës me fonde për kërkimin shkencor;
10- Rritja nga 10 për qind në 40 për qind e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan/rektor, dhe rritja e përfaqësisë së studentëve në senatin akademik me 20 për qind.