Kryeministri Rama takoi sot studentë dhe pedagogë të Universitetit Bujqësor për të biseduar mbi kërkesat e studentëve. Por gjatë takimit një prej studenteve të pranishme demaskoi takimin e sajuar të Kryeministrit Rama duke thënë se:
“Rektori na njoftoi se do të ketë mbledhje me studentët dhe pedagogët dhe jo që do të vinit ju, Zoti Kryeminsitër. Dhe nuk më pëlqeu fare kjo mënyrë përcarje që po bëni. Unë jam e para që po e braktis këtë mbledhje sepse nuk na ishte thënë që do të kishim takim me ju”.
Më tej studentja iu drejtua Kryeministrit Rama:
“Tarifat janë rritur. Unë jam studente e Financë-Kontabilitet dhe paguaj 320 mijë për tarifën. Ndërkohë dy kurset e tjera paguajnë 300-350. Pres përgjigje, osese nga ju kryeministër, ose nga Rektori. Janë rritur apo jo tarifat?”
Pyetja e studentes u duartrokit nga studentët e tjerë në sallë.
Por, Kryeministri nuk pranoi t’i kthente përgjigje nëse tarifat janë rritur dhe nëse do të ulen në të ardhmen. Ai vazhdoi të mbrojë ligjin e arsimit të lartë dhe ofendoi studentët duke i thënë se:
“Në protestë nuk ndryshojnë rregullat e mirësjelljes. Dhe ju që duartrokisni nuk jeni të detyruar të rrini nëse nuk doni. Por një gjë po ju them, jo se kam parë, por nëse më ndihmon dikush nga ju që duartrokisni ta gjej në histori këtë që bëni ju, do t’ju isha mirënjohës.
Pusho, pusho ti. Ti dil nuk ka asnjë problem”.
Madje kërkesës së një studenti mbi miratimin e një akti zyrtar për 8 kërkesat e studentëve, kryeministri iu përgjigjë:
“Ju nuk më keni marrë peng mua. Unë deklaratë zyrtare ty nuk të bëj. Deklaratë zyrtare, që të shkosh t’i të festosh vitin e ri në shtëpi se më ke marrë mua peng, unë nuk të bëj. E dashke dhe me shkrim ti, që të shkosh në shtëpi me deklaratë.”