Akademia e Shkencave: 50% e popullsisë në Tiranë imune ndaj Covid-19

Nga Exit News
Akademia e Shkencave: 50% e popullsisë në Tiranë imune ndaj Covid-19

Akademia e Shkencave pretendon se gjysma e popullsisë së Tiranës ka zhvilluar anti-trupa ndaj COVID-19.

Ky përfundim ka dalë nga një studim i Akademisë i udhëhequr nga imunologu Genc Sulçebe dhe epidemiologu Alban Ylli.

“Ky është konkluzioni, që në fund të 2020-s, pothuajse 50% e popullatës urbane të Tiranës është pozitive ndaj virusit, pra ka qenë në kontakte me këtë virus, pra janë persona të imunizuar. Tashme e shpresojmë që ky imunitet është afatgjatë”, tha Sulçebe gjatë një konference për mediat ku u prezantuan përfundimet e studimit.

Popullata e marrë në shqyrtim në studim ishte 258 mijë banorë të Tiranës. Sipas përfundimeve të studimit do të thotë se rreth 130 mijë banorë janë infektuar me COVID-19 dhe kanë krijuar anti-trupa.

Kjo shifër është më shumë se dyfishi i rasteve të regjitruara në të gjithë Shqipërinë që prej fillimit të pandemisë, 57 727, siç raportohet nga ministria e Shëndetësisë.

Epidemiologu Alban Ylli tha se në rang kombëtar, imuniteti ndaj Covid-19 është rreth 25%.

Pothuajse gjysma e Tiranës por shumë më e lartë se vendet e tjera të botës.

Sipas OBSH-së, në shumicën e vendeve, më pak se 10% e popullsisë janë infektuar me COVID-19.

A sugjerojnë të dhënat e studimit të Akademisë së Shkencave që jemi pranë ‘imunitetit të tufës’?

Imuniteti i tufës është një koncept sipas të cilit nëse shumica e një popullsie është imune ndaj një sëmundjeje ngjitëse atëherë edhe pjesa tjetër e paimunizuar është e mbrojtur indirekt.

Në varësi se sa ngjitës është një virus, zakonisht 50% deri 90% e një popullate ka nevojë për imunitet për të arritur imunitetin e tufës, sipas Universitetit John Hopkins.

Pra në rastin e Tiranës, mund të mendohet se është pranë imunitetit të tufës. Por OBSH sugjeron se në rastin e COVID-19 është e vështirë të thuhet një gjë e tillë pasi sëmundja ka ende shumë të panjohura.

Nga ana tjetër, nëse Tirana do të ishte pranë imunitetit të tufës, atëherë ajo do të raportonte më pak raste se qytetet e tjera.

Aktualisht Tirana ka më shumë se gjysmën e rasteve aktive të gjithë Shqipërisë dhe është qyteti me përhapjen më të lartë të COVID-19.

Nga rreth 23 mijë raste aktive, 13 mijë janë në kryeqytet.

Profesor Alban Ylli tha se pavarësisht imunitetit që është arritur nga popullsia “duhet të merren masa mbrojtëse sepse stina e dimrit e favorizon përhapjen e këtij virusi”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>