Studiuesit: Hidrocentralet në Vjosë dëme mjedisore, sociale dhe ekonomike

Studiuesit: Hidrocentralet në Vjosë dëme mjedisore, sociale dhe ekonomike

Ndërtimi i hidrocentraleve mbi lumin Vjosa, veçanërisht ai i Poçemit dhe i Kalivaçit, do të ndikojë negativisht dhe në mënyrë të pakthyeshme rrjedhën e lumit të fundit të egër të mbetur në Europë.

Ky është përfundimi që nxorrën një grup shkencëtarësh nga  Universiteti i Burimeve Natyrore në Vjenë dhe Universiteti Politeknik i Tiranës, pas një studimi dy-vjeçar të lumit Vjosa dhe zonës përreth.

Sipas studiuesve, ndërtimi i hidrocentraleve mbi Vjosë do të sjellë dëme të trefishta: ekonomike, mjedisore dhe sociale.

Sipas raportit, për shkak të karakteristikave specifike të lumit, ndërtimi i hidrocentraleve mbi të nuk do të prodhojë energji sipas parashikimeve, por në sasi më të vogla.

Një prej studiuesve, Dr. Christoph Hauer u shpreh se për shkak të ritmeve të larta të transportit të sedimenteve në shtratin e lumit, prodhimi i energjisë do të reduktohet ndjeshëm që në vitin e parë të prodhimit, duke vazhduar me reduktim më të lartë në vitet në vijim. Nëse kompanitë që do të ndërtojnë hidrocentralet do të duan ta shmangin këtë fenomen, kostot ekonomike do të jenë shumë të larta. Ndaj me shumë gjasa, energjia e prodhuar nuk do të jetë në nivelet e dëshiruara nga kompanitë.

Nga ana mjedisore, ndërtimi i hidrocentraleve do të shkatërrojë florën dhe faunën e lumit, i cili është vendbanim për shumë specie të rralla. Në vitin 2017, nga një tjetër grup studimor zbuloi në Vjosë rreth 20 specie të rralla, një lloj peshku me emrin “Isoperla vjosae”, si dhe një lloj peshku të paidentifikuar më parë dhe të panjohur për shkencën.

Raporti i shkencëtarëve e përshkruan Vjosën si një ekosistem unik dhe dinamik për shumë specie ujore që janë zhdukur në të gjithë Evropën. Me shumë gjasa, të gjithë këto veçanti të Vjosës do të shkatërrohen nga ndërtimi i hidrocentraleve: habitati tipik i peshkut të lumit do të shkatërrohej, shumë lloje të tjera të gjallesave e bimëve që rriten aty rrezikojnë të zhduken.

Nga ana sociale, në raport parashikohet se ndërtimi i digave të hidrocentraleve do të prekë jetën e banorëve të zonës, të cilët jetojnë me bujqësi, kryesisht në prodhimin e vajit të ullirt dhe grurit. Po ashtu, rigjallërimi i Parkut të Vjosës do të krijonte Parkun e parë të një lumi të egër në Europë, duke e vendosur Vjosën në hartën e pikave më interesante turistike.

Plani i qeverisë për të ndërtuar hidrocentrale mbi lumin Vjosa, prej disa vitesh, është kundërshtuar nga qytetarët, Këshilli i Europës, Parlamenti Europian dhe dhjetëra organizata ndërkombëtare mjedisore.

Kështu:

Në vitin 2016 tre organizatat mjedisore EcoAlbania, Riverwatch dhe EuroNatur dhe 38 qytetarë aktivistë paditën qeverinë për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë në Gjykatën Administrative.

Komisioni Europian ka shprehur vazhdimisht kundërshtinë e tij për ndërtimin e hidrocentraleve. Në Raportin e Progresit 2014, Komisioni i kërkoi qeverisë të rishikojë planet për ndërtimin e hidrocentraleve në Vjosë, pasi ato do të dëmtonin një prej ekosistemeve të fundit të paprekur dhe natyrorë të mbetur në Evropë.

Parlamenti Europian (PE) i kërkoi qeverisë shqiptare të ndalojë ndërtimet e hidrocentraleve në zonat e mbrojtura, veçanërisht në parqet kombëtare.

PE-ja miratoi në prill të 2016, një rezolutë për Shqipërinë, në të cilën flitet, ndër të tjera dhe për shkatërrimin e parqeve kombëtare nga hidrocentralet.

Por, pavarësisht kundërshtimit të qytetarëve dhe Këshillit të Europës për të mos ndërtuar hidrocentrale në Vjosë, Kryeministri Rama nuk u tërhoq nga ndërtimi i tyre. Në prill 2017 u shpallën fitues të tenderit për hidrocentralin e Poçemit dy kompani turke pa përvojë në fushën e energjisë dhe me kapacitete modeste.

Pavarësisht shpalljes se kompanive fituese të tenderit, deri më tani, siç Exit.al ka shkruar vazhdimisht, çdo gjë rreth projektit është bërë në mënyrë jotransparente dhe arbitrare nga qeveria. Për më shumë lexoni këtu dhe këtu.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>