Sulmet ndaj Krichbaum—historia përsëritet

Sulmet ndaj Krichbaum—historia përsëritet

Kryetari i Komisionit të Çështjeve të BE-së në Bundestagun gjerman Gunther Krichbaum ka ngjallur sërish debate në Tiranë pas deklaratës së tij se parlamenti gjerman do të konsiderojë jo vetëm raportin e Komisionit Europian por edhe raporte dhe informacione të tjera për të vendosur ose jo miratimin e hapjes së negociatave.

Duket se historia po përsëritet njësoj si para dy vitesh. Në nëntor 2016, pasi Shqipëria kishte marrë rekomandimin nga Komisioni Europian për hapjen e negociatave, me kushtin e zbatimit të vetingut, e gjithë propaganda qeveritare theksonte vetëm këtë gjë: qeveria ka berë çdo përparim dhe negociatat do të hapen, vetëm duhet të fillojë vetingu.

Por dy javë para se të merrej vendimi dhe vetëm tre ditë para se Kryeministri Rama të udhëtonte në Berlin për t’u takuar me Kancelaren Merkel, në Tiranë mbërriti Gunther Krichnbaum. Ai zhvilloi vetëm një takim, me Kryeministrin Rama në zyrën e këtij të fundit. Në takim Krichbaum i bëri të ditur Ramës se shumica parlamentare gjermane CDU/CSU kishte vendosur 7 kushte për hapjen e negociatave. Pasi takoi Ramën, Krichbaum mbajti një konferencë për shtyp në Hotel Tirana ku i bëri të qarta publikisht kushtet që i kishte shprehur kryeministrit.

Menjëherë pas vizitës, kundër Krichbaum nisi një fushatë kritikash nga politikanët e shumicës dhe sulmesh e shpifjesh nga media dhe persona publikë të afërt me qeverinë. Moria e sulmeve u shtri nga pohimi se Krichbaum ishte një deputet pa asnjë rëndësi dhe vendimin e merrte vetëm Merkel, tek pretendimi se qëndrimet e Krichbaum ishin pasojë e lobimit të PD-së. Disa media të afërta me qeverinë madje sajuan dhe përhapen insinuatën e ulët se Krichbaum po bënte lojë në favor të PD-së për shkak të një lidhjeje me një zyrtare të PD-së.

Por, shumë shpejt u bë e qartë se Krichbaum nuk ishte një deputet i çfarëdoshëm, por njeri i afërt i Kancelares Merkel, sikurse u zbulua se sipas ligjeve gjermane komisioni parlamentar i drejtuar nga Krichbaum duhet të miratonte qëndrimin e kancelares Merkel për çdo çështje në lidhje me zgjerimin e BE-së. Për më tepër, sikurse kishte paralajmëruar Krichbaum, në takimin e pas tre ditëve me Ramën, Merkel foli për nevojën e përmbushjes nga Shqipëria të pak a shumë të të njejtave kritere që Krichbaum i kishte formuluar qartë dhe drejtpërdrejt. Natyrisht Merkel përdori një gjuhë më diplomateke. Në dhjetor 2016, Këshilli Europian refuzoi hapjen e negociatave me Shqipërinë, edhe pse ju kursye turpërimi i refuzimit, pasi Austria vuri veton dhe rezoluta nuk u miratua fare nga Këshilli.

Më pas, kriteret që u artikuluan nga Krichbaum në Tiranë u bënë kritere zyrtare të Gjermanisë dhe të vendeve të tjera anëtare të BE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Nëse rilexon sot pohimet dhe qëndrimet publike të figurave publike të para dy vjetëve kundër Krichbaum ato duken gati qesharake dhe dëshmojnë hendekun e madh që ekziston mes mentalitet dhe perceptimit europiano-perëndimor dhe atij shqiptar mbi politikën dhe qeverisjen. Të edukuar e mësuar me regjime diktatoriale dhe autokratike si dhe me adhurimin ndaj udhëheqësit, intelektualët shqiptarë e mendojnë dhe shpjegojnë edhe politikën europiane njësoj si atë shqiptare.

Qëndrimet e tyre të para dy vjetëve reflektojnë bindjen se deputetët janë thjesht shërbëtorë të bindur të udhëheqësit suprem, në ketë rast Merkelit; se deputetët bëjnë politikë personale të jashtme; se ata mund të shiten dhe blihen; etj, Më poshtë po sjellim disa nga këto reagime

Edi Rama:

“Këta zëra të huaj që ngrihen mund të përkojnë me nevojën e PD, por nuk përkojnë me qasjen e përgjithshme të vendeve anëtare, por as me nevojën e parlamenteve të tyre për t’u shprehur në këtë fazë… Thonë çfarë thonë sot deputetë të ndryshëm, kjo në këtë moment nuk ka pikë rëndësie, sepse rëndësi ka çdo të thotë Këshilli Europian.”

“Lulzim mos kap skutave deputetë të huaj për të sharë e për të bllokuar Shqipërinë po lexo rekomandimin e qartë të BE dhe zhblloko Vetingun!”

Spartak Ngjela:

“Gjithçka varet nga qëndrimi i Merkel, që është i kundërt nga ai i Krischbaum. Nuk kemi parë ndonjëherë që kancelarja gjermane të humbë ndonjë votim me rëndësi në Bundestag.”

Erjon Braçe:

“Me ç’di unë zonja Merkel është jo vetëm kryetare e partisë së saj por është edhe kancelare e Gjermanisë dhe me ç’po lexoj edhe kandidate për një mandat të ri. Mos merremi me njerëz kaq të vegjël  në raport me ata që përfaqësojnë institucionalisht Gjermaninë, qeverinë gjermane, parlamentin gjerman e çdo gjë tjetër.”

Mustafa Nano:

“Ka shumë politikanë europianë dhe amerikanë palaço, biles dikush ka përfunduar edhe në burg, që kanë ardhur këtu dhe kanë mbështetur njërën apo tjetrën palë për interesa nga më të çuditshmet. Krischbaum është një deputet dhe nuk e di, por duhet pritur takimi Merkel-Rama të hënën.”

Arjan Vasjari:

“Qëndrimi i tij është një qëndrim i lobuar që në sfond shikoj edhe një trafik influence. Të gjitha problematikat e tij kanë qenë problematika që kanë ekzistuar edhe para 2 javësh kur Komisioni dha “OK” dhe asnjë nga komisarët nuk shprehu këtë qëndrim. Elementi i dytë, në dijeninë time nuk ka ndodhur që Komisioni të japë “OK” dhe të dalë një deputet i një Parlamenti të caktuar dhe të thotë jo.”

Majlinda Bregu:

“Zbërthimi i 5 prioriteteve të thëna dje nuk janë asgjë më shumë se sa ajo që ishte në progres raport. Por që dëshmojnë edhe njëherë se në vendimin që do të jetë në Këshill në dhjetor ky do të jetë humori ose qëndrimi i vendeve anëtare kryesisht. Rrugë të mbarë kryeministrit në Gjermani të hënën, do ta shoh bashkë me ju në televizor.”

Qamil Xhani:

“Çfarë e bëri këtë gjerman të fundit të vijë para datës 29 nentor, ditë kur ka ikur gjermani i fundit i kohës së Hitlerit nga Shkodra? Ndonjë hall dashurie shqiptare? Jo, nuk besohet se për kaq gjë të provojë pluhurin e sheshit “Skenderbej” ku po punon Erion Veliaj. Ndonjë angazhim i madh për Europën dhe hallet e saj? Jo, pasi ka një grua-burrë në Berlin me emrin Angela Merkel. Atëhere pse erdhi? Duket hapur nga gjuha aspak diplomatike që ka përdorur kur kërcënon Kancelaren gjermane nga Tirana. Kanë problemet e tyre në CDU.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>