Gjykata e Apelit nuk e pranoi ankimin e tetë studentëve që goditën me vezë Kryeministrin Rama në 2015-ën. Gjykata e Apelit u shpreh se studentët nuk kishin respektuar afatet kohore për ankimin, ndaj kërkesa e tyre nuk u pranua.
Studentët, në mars 2017, u dënuan nga Gjykata Penale e Tiranës me dy muaj burg ose 60 orë punë në komunitet. Ato u akuzuan për “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Studentët e “Lëvizjes për Universitetin”, në shenjë proteste për ligjin e arsimit të lartë, qëlluan me vezë makinën e Kryeministrit Rama në nëntor të vitit 2015.
Gjatë seancave gjyqësore, drejtuar nga gjykatësi Arben Micko, Kryeministri Rama nuk ka dëshmuar asnjëherë.
Vendimi i gjykatës u mbështet mbi këto përfundime të hetimeve:
- Punonjësit e policisë, të cilët ishin në vendngjarje, nuk arritën të identifikojnë, të paktën një student, si autor të pretenduar se ka goditur me vezë.
- Si provë materiale u sekuestruan mbetjet e një kokërr veze, ndërkohë që nën akuzën e goditjes u përfshinë tre studentë.
- Katër prej dëshmitarëve të akuzës, pjesë e efektivëve të policisë së rendit, nënshkruan dëshmi të njëjta.
- Forcat e policisë ushtruan kontroll të paautorizuar në banesat e studentëve dhe, sipas një akt-ekspertize, mbi disa prej tyre u ushtrua dhunë.