“Asgjë sikur dielli”, grupi muzikor shqiptar nga Kosova, pas një kohë të gjatë të tërhequr nga risitë muzikore, ditët e fundi kanë krijuar një reaksion të madh tek publiku mbarëshqiptar. Ata kanë provokuar me performancën e tyre të fundit, në natën e tretë të Sunny Hill Festival, por kësaj radhe jo me muzikën e tyre të veçantë dhe alternative, por me një video-satirë muzikore provokuese, e cila fillon me një flamur shqiptar dhe me yllin me pesë cepa në krye të tij, një symbol ky komunist.
Shumë njerëz, intelektualë dhe aktivistë, të cilët nuk kanë qenë të pranishëm në këtë festival, kanë parë foton me flamurin me yllin me pesë cepa dhe kanë reaguar nëpër rrjetet sociale shumë të indinjuar, pasi kanë kujtuar se ka qënë Bashkia e Tiranës që ka vendosur këtë simbol. Ka pasur edhe disa portale, të cilat e kanë pasqyruar si lajm, të marrë shkas nga kjo foto, por pa e ditur informacionin e plotë.
Megjithëse një lajm i rremë në këtë rast, ylli me pesë cepa, një ndër simbolet komuniste të ndaluara në Shqipëri që nga viti 1992, na tregon edhe një herë ne shqiptarëve, se plagët nga regjimi komunist nuk janë shëruar në ndërgjejen tonë kolektive. Madje ato vetëm ka krijuar një dregëz të hollë dhe me një gërvishje a provokim të lehtë ato rrjedhin gjak. Nga ana tjetër, edhe pse lajmi i yllit me pesë cepa në Sunny Hill Festival është FakeNews, nuk do të thotë se në Shqipëri rivendososja e komunizmit është më një teori konspirative, përkundrazi. Realiteti na tregon çdo ditë me fakte dhe prova, që komunizmi dhe simbolet e tij, sa vijnë dhe më shumë rifuqizohen dhe po kthehen në realitet.
Së pari, simbolet komuniste na kujtojnë një sistem të dështuar dhe të rënë, i cili i çoi shtetet nën diktarurë në një represion politik, në kufizime ekspreme të të drejtave të njeriut, me një ekonomi të dobët dhe me një censurë kulturore dhe artistike estreme. Ylli komunist në flamurin shqiptar, na freskon memorien se këngëtare si Dua Lipa dhe grupi “Asgjë sikur Dielli”, po të ishin ngjitur në skenë në kohë të komunizmit nuk do mund të shikonin një atmosferë aq festive nga skena, sa ka qenë ajo e këtyre tre netëve të Sunny Hill-it, në Tiranë. Pasi pjesëmarrësit nuk do të ishin lejuar të reagonin lirshëm dhe natyrshëm. Ata do të ishin të ndrydhur dhe të kushtëzuar vetëm të dëgjonin dhe maksimalisht të jepnin ndonjë buzëqeshje të ngrirë artistëve.
Ndërsa artistët nuk do mund të shpërthenin ashtu siç shpëthyen ata më gjithë energjinë dhe talentin e brendshëm, pa komplekse se si janë veshur dhe çfarë lloji muzike performojnë.
Po të ishte Dua Lipa një këngëtare në kohën e komunizmit, ajo, me veshjen dhe stilin e saj muzikor, si shumë këngëtarë dhe artistë të tjera përparimtarë të asaj kohe, ose do të ekzekutohej si armike e popullit, ose do të burgosej përjetësisht dhe e gjithë famija e saj do të internohej në skajet më të thella e të humbura të Shqipërisë.
Ky do ishte fati i vetëm i Dua Lipës nën komunizëm. Por fatmirësisht, ajo nuk ka lindur në ato kohëra të errëta, prandaj ajo shkëlqen si një yll dhe e cila nuk ka nevojë për yjet e kalbur komunist, se shkëlqen pa nevojën e tyre.
Së dyti, në këtë festival morën pjesë mijëra të rinj shqiptarë, të cilët pëlqejnë muzikën e Dua Lipës dhe shkuan aty për tu argëtuar. Por shumica prej tyre nuk kanë informacionin e duhur se çfarë ka qënë diktatura dhe komunizmi, prandaj kur kanë parë flamurin me yllin me pesë cepa kanë kënduar himnin kombëtar.
Ata jetojnë në një vend, i cili nuk flet për regjimin komunist dhe nuk e kujton komunizmin për asgjë. Por nga ana tjetër nuk ndodh kështu me vendet e tjera evropianë dhe me Bashkimin Evropian, aty ku dhe këta të rinj aderojnë të shkojnë sa më parë. BE e dënon totalitarizmin përmes memorialëve dhe ritualeve të shumta. Rezoluta e Re e Parlamentit Evopian e 18 tetor 2019 e barazon komunizmin me fashizmin. Sipas kësaj resolute “Integrimi evropian ka qenë, që nga fillimi, një përgjigje ndaj vuajtjeve të shkaktuara nga dy luftërat botërore dhe nga tirania naziste që çoi në Holokaust, dhe në zgjerimin e regjimeve komuniste totalitare dhe jodemokratike” Këto duhet të mësojnë të rinjtë tanë.
Komunizmi është krim, ashtu sikuse është edhe fashizmi krim. Në total, regjimet komuniste kanë vrarë afërsisht 100 milionë njerëz, duke e bërë komunizmin ideologjinë më vrasëse në historinë njerëzore.
Është shumë shqetësuese dhe për të ardhur keq që të rinjtë shqiptarë nuk mësojnë se çfarë ka qënë komunizmi në shkolla, dhe përballen vazhdimisht me fakte të shtrembëruara, ose mungesë informacioni dhe me simbolika të tilla si në rastin e këtij koncerti dhe reagimi i tyre është këndimi i himnit të flamuri.
A thua se a shkuara shumë e afërt nuk ekzison më, ose është trasformuar në diçka tjetër. Duke i lënë këta të rinj komplet në verbëri, duke mos ditur si të deshifrojnë ndjenjat e tyre karshi këtyre simboleve, ndjenja të cilat duket të ishin të thella dhe të lidhura me poshtërimin, indinjatëm, ofendimin, dhimbjen, pakënaqësinë etj por asnjëra nga këto ndjenja nuk u reflektua në ndërgjegjen kolektive të tyre, pasi fatkeqësisht, ylli me pesë cepa për ta nuk do të thotë asgjë.
Dhe këtu shkaktari kryesor është shteti i tyre, i cili nuk inkurajon dhënien e njohurive karshi komunizmit madje po bëhet ç’është e mundur të fshehë, fshijë dhe zhdukë ato. Kështu që si pasojë, sikurse thotë edhe Orwell, “Injoranca është forcë dhe liria (pa informacion shtoj unë) është skllavëri”.
Së treti, ristabilizimi i komunizmit në Shqipëri është një realitet që nuk mund ta mohojë askush. Komunizmi po rivendoset dhe rivlerësohet kudo, në të gjitha aspektet politike, shoqërore, dhe të trashëgimisë kulturore dhe kjo është një gjë shumë shqetësuese.
Përgjatë më shumë se 30 vitesh tranzicion, pushtetet politike që kanë ardhur dhe kanë ikur nuk kanë bërë gjë tjetër veçse një punë sistematike dhe të kujdesshme se si ta varrosin temën mbi komunizmin, e bashkë me të edhe viktimat e komunizmit dhe shkatarët që shkatuan këto viktima.
Që nga viti 1992 e deri më sot nuk është bërë tjetër vetëm është fshehur e vërteta, dhe nuk është vendosur kurrë drejtësi karshi viktimave të komunizmit dhe nuk janë dënuar kurrë shkaktarët që e shkatuan atë, duke e futur Shqipërinë në një ndër rastet më të rralla në Evropën Lindore që nuk ka marrë asnjë masë për dekomunistizimin e shoqërisë e politikës dhe institucioneve të saj.
Dhe tani që ka kaluar faza e fshehjes së krimeve të komunizmit dhe të krimeve kundër njerëzimit, ka ardhur koha e lulëzimit të komunizmit edhe një herë. Kohët e fundit me ardhjen në pushtet të socialistëve, pa frikë e pa ju bërë syri tërr, po vendosen figura politike komuniste në parlamentin shqiptar, herë pas herë politikanë shqiptarë shfaqen me simbole komuniste hapur dhe nuk merret asnjë masë për ta.
Megjithëse që nga viti 1992 nuk lejohen simbolet komuniste, legjislacioni shqiptar lë shumë hapsirë për abuzim mbi çështje që lidhen me propagandimin e regjimeve totalitare dhe neneve përkatëse të Kodit Penal mbi lirinë e shprehjes.
Ndërkohë që institucione të trashëgimisë kulturore të kohëravë të ndryshme po u vihen ekskavatorët dhe fadromat natën dhe po prishen pa mëshirë nga njëra anë dhe gjithashtu nga ana tjetër edhe pse kanë kaluar më shumë se 30 vjet nga regjimi totalitar i tmerrshëm komunist, Shqipëria ende nuk ka një monument zyrtar të viktimave të dikaturës, si për ironi, të gjitha ndërtesat e periudhës komuniste po shohin lulëzim.
Ato ose janë rikonstruktuar plotësisht se janë nën rikonstruksion. Madje kohët e fundit i është dhënë një vëmendje e veçantë edhe statujave të figurave totalitare si ajo e Leninit dhe e Stalinit, të cilat janë ekspozuar në vilën e famëkeqit Mehmet Shehu, pikërisht në Ditën Evropiane të Kujtesës së Viktimave të totalitarizmit.
Për këto nuk jepet asnjë prononcim zyrtar nga asnjë insitucion se pse u vendosën ato statuja atje pikërisht atë ditë, dhe se a merr njëri përgjegjësi për këto veprime flagrante?
Si veprohet në rast se një shtet ushtron pushtetin e tij jo në favor dhe në respekt të qyetarëve të tij, por në favor të elitave që janë në pushtet? A mban përgjegjësi shteti karshi këtyre veprimeve? Sa totalitar është bërë pushteti kohët e fundit në Shqipëri dhe sa liri dhe të drejta po u jepen qytetarëve? Çfarë ndodh kur shteti gabon dhe qytetari ka të drejtë?
Së fundmi, fakti se pse ndërgjegja jonë kolektive është e ndjeshme karshi simboleve të tilla si ylli me pesë cepa, që u rishfaq në Sunny Hill Festival dhe se nëpërmjet tyre kuptojmë se plagët tona jo vetëm nuk janë shëruar nga rregjim komunist, por madje janë ende të hapura, na jep shpresë. Por nga ana tjetër investimi kaq i madh i pushtetit karshi rikthimit të totalitarizmit e thyen shpresën se një ditë ne si shoqëri do të kujtohemi të kujdesemi për këto plagë dhe se në një të ardhme do fillojmë t’i trajtojmë ato ashtu siç duhet.
Aurora Velaj është autore e librit “Ringjallja e gjyshit. Tefik Sfiri, Udhëheqësi i Lëvizjes Antifashiste në Mallakastër 1909-1945”.