Liga profesioniste njoftoi të premten se kampionati nuk do të fillojë, derisa qeveria t’i plotësojë kërkesat.
Ata i kërkuan qeverisë uljen e TVSH në 6%, faljen e gjobave dhe detyrimeve të prapambetura tatimore; mos pagimin e TVSH -së për të ardhurat e sportistëve dhe miratimin e ligjit të sponsorizimeve.
Këto kërkesa Liga profesioniste i ka bërë edhe më parë.
Në kampionate të ndryshme të futbollit në Evropë, klubet kanë shkurtuar pagat në mënyrë që të minimizojnë dëmet ekonomike.
Por në Shqipëri situata është më e vështirë. Pak klube janë me financa të shëndetshme sa për të përballuar një kohë të gjatë pa të ardhura.
Futbolli shqiptar varet kryesisht nga donacionet, ose nga fondet publike, ndërsa shumë klube kanë borxhe të prapambetura.