Britania mund të përballet me mungesa produktesh ushqimore në supermarkete këtë verë për shkak të mungesës së më shumë se 100,000 shoferëve të automjeteve të rënda (HGV), si pasojë e pandemisë COVID-19 dhe Brexit.
Shoqata e Industrisë i ka kërkuar Kryeministrit Boris Johnson të lejojë vizat e përkohshme për shoferët e makinave të tonazhit të madh, duke i futur në një “listë të profesioneve në munges”.
Ata paralajmëruan se pa ndihmën e qeverisë rrjeti i furnizimit me ushqime në Britani rrezikon “të dështojë në një nivel të paparë dhe të paimagjinueshëm”.
Qeveria britanike u shpreh se do të hapë një thirrje të re për rekrutimin e shoferëve.
“Sistemi ynë i ri i imigracionit i bazuar në pikat e bën të qartë se punëdhënësit duhet të përqendrohen në investimin në fuqinë tonë të punës, veçanërisht ata që kanë nevojë për të gjetur punë të re, në vend se të mbështeten në punën nga jashtë”, u shpreh qeveria britanike.