Partia Demokratike akuzon mazhorancën se ka kapur shtetin dhe e ka kthyer Shqipërinë në vendin më të korruptuar në rajon.
Ish-deputetja Jorida Tabaku ka cituar sot një raport të organizatës “Transparency International” mbi kapjen e shtetit përmes praktikave korruptive dhe ligjeve klienteliste.
“Shqipëria është me plot gojën në listën e zezë të korrupsionit, ky është një konstatim jo veç I opozitës por edhe i një raporti të dedikuar të TI, një institucioni të specializuar për korrupsioin.”, shkruan Tabaku.
Raporti merr në shqyrtim vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë për të analizuar fenomenin e kapjes së shtetit.
“Prania e kapjes së shtetit në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Turqi është raportuar në raportet e Komisionit Evropian për vendet e zgjerimit, por mbështetjet dhe motivimet e tij nuk janë adresuar sa duhet në reformat e promovuara në rajon.”, thuhet në raport.
Përfaqësuesja e PD nënvizon konstatimet e raportit për Shqipërinë, ku përmenden raste të dencuara për korrupsion si përfshirja e ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako në blerje votash, apo e ish-ministrit Tahri me trafikantë droge
“Në raport përmenden dhe rasti i rrugës Milot-Balldren të cilën e ka denoncuar dhe opozita. Një rast flagrant ku kostot janë 3 fishuar, ku eshte fituar pa garë, me kosto pothuajse 20 mln euro për km, në një tender që qartësisht mund të ishte zhvilluar dhe fituar një kompani me 1/3 e vlerës.”, vijon Tabaku.
Sipas raportit të “Transparency International” janë dy faktorë kryesorë që mundësojnë kapjen e shtetit në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi: mosndëshkimi i korrupsionit në nivelet e larta dhe ligjet të bëra enkas për disa persona. Raporti jep pasqyrë se si gjyqësori në mënyrë joefektive trajton korrupsionin nga zyrtarë të nivelit të lartë. Ai gjithashtu tregon se si ky problem dhe ndikimi në vendim-marrjen në shërbim të interesave private ndihmojnë për të arritur dhe ruajtur kapjen e shtetit.
Jorida Tabaku akuzon qeverinë se ka vrarë shpresën duke bashkëpunuar sipas saj me krimin. Ajo premton se pas 25 prillit, me PD në qeveri, Shqipëria nuk do të jetë më vendi më i korruptuar në rajon.
“Shqipëria do të shpëtojë nga dara e korrupsionit një herë e mirë në 25 prill 2021, ku ne së bashku do të ndryshojme faqen e Shqipërisë vendit më të korruptuar në rajon.”, shkruan ish-deputetja.