Gjykata e Apelit do të shqyrtojë ankimimin e ish-ministrit Tahiri për masën e sigurisë “arrest shtëpie” më 28 maj, në orën 13:00.
Maks Haxhia, avokati i Tahirit, apeloi vendimin e gjykatës së Krimeve të Rënda, dhënë më 15 maj, që la në arrest shtëpiak ish-ministrin. Menjëherë pas përfundimit të seancës, avokati i ish-ministrit tha se vendimi është i padrejtë, dhe se prokuroria nuk ka sjellë asnjë provë që të justifikohet kjo masë sigurie.
Edhe prokuroria e ka apeluar vendimin e 15 majit dhe ka kërkuar ashpërsimin e masës së arrestit në “arrest me burg”, me argumentin se Saimir Tahiri mund të shkatërrojë provat që e lidhin atë me bandën Habilaj, gjatë qëndrimit në shtëpi. Nuk dihet ende se kur gjykata e apelit do të marrë në shqyrtim kërkesën e prokurorisë.
Ish ministri Tahiri ndodhet në arrest shtëpie që prej datës 12 maj. Ai akuzohet për “Trafikimin e narkotikëve”, në bashkëpunim me bandën e Habilajve, e parashikuar në nenet 283/a dhe 333/a, në lidhje me nenin 28 të Kodit Penal dhe, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, e parashikuar në nenin 260 të Kodit Penal.