Të gjitha faktet e çështjes Tahiri

Nga Exit News
Të gjitha faktet e çështjes Tahiri

Gjykata e Apelit ktheu sot për rigjykim në shkallë të parë, çështjen e ish-ministrit Saimir Tahiri.

Gjykata e Krimeve të Rënda e çliroi ish-Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri nga të gjitha akuzat e prokurorisë për trafik droge dhe e dënoi atë me 5 vite burg për shpërdorim detyre.  Duke qenë se ish-ministri ka kërkuar gjykim të shkurtuar, ai do të vuajë vetëm dy të tretat  dënimit, 3,3 vjet.

Prokuroria kishte kërkuar 12 vite burgim për Saimir Tahirin, duke e akuzuar për trafik droge, pjesmarrje në organizatë kriminale të organizuar. Çështja ndaj tij ka filluar që në tetor të vitit 2017.

Akuzat e para ndaj Saimir Tahirit për bashkëpunim me vëllezërit Habilaj u bënë nga Dritan Zagani, ish-punonjës i shërbimit anti-drogë në policinë e Fierit dhe ish-polic kufitar në Vlorë.

Në 2015-ën, Zagani akuzoi Tahirin se “kishte vënë në dispozicion të Habilajve makinën personale me targa AA 003 GB, me të cilën Habilajt kryenin trafikun e drogës drejt Greqisë, duke qenë se policët kufitarë nuk guxonin të kontrollonin makinën personale të Ministrit”.

Por zhvillimet kryesore të çështjes Tahiri nisën rreth dy vite pas denoncimeve të ish-policit Zagani. Më poshtë kronologjia:

11 mars 2017 – Tahiri shkarkohet si Ministër i Brendshëm, në vend të tij emërohet Fatmir Xhafaj.

16 tetor 2017 – Moisi Habilaj dhe anëtarë të tjerë të bandës arrestohen në Itali me akuzën e trafikut të narkotikëve. Hetimet e Prokurorisë së Katanias përfshinë në organizatën e vëllezërve Habilaj edhe ish-Ministrin Tahiri.

19 tetor 2017 – Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkon Kuvendit heqjen e imunitetit të deputetit të Tahirit, kjo për t’i hapur rrugë arrestimit. Tahiri akuzohet “për trafikim narkotikësh në bashkëpunim, në formë grupi të strukturuar kriminal” dhe “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

23 tetor 2017 – Tahiri përjashtohet nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.

25 tetor 2017 – Kuvendi rrëzon kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, nuk lejon arrestimin e deputetit Saimir Tahiri.

26 tetor 2017 – Prokuroria kontrollon banesën e Tahirit.

27 tetor 2017 – Tahiri pyetet për rreth dy orë nga prokurorët për lidhjet me grupin e Habilajve.

31 tetor 2017 – Tahiri përjashtohet nga kryesia e PS Tiranë dhe koordinimi i bashkëqeverisjes me qytetarët.

1 nëntor 2017 – Gazetari i MeridioNews, Dario De Luca, publikon dosjen e përgjimeve të grupit Habilaj dhe thotë për News24 se “në përgjimet e grupit flitet për ish-Ministrin e Brendshëm Tahiri”.

1 nëntor 2017 – Policia arreston Orest Sotën për kundërshtim të policisë rrugore. 25-vjeçarit i gjenden në makinë €800 mijë dhe dy patenta mjetesh lundruese të ish-Ministrit Tahiri.

15 nëntor 2017 – Ish-ministri Tahiri largohet në Gjermani, pavarësisht vendimit të Kuvendit për ndalim të daljes jashtë vendit.

12 dhjetor 2017 – Me kërkesë të Prokurorisë, pas arrestimit të Orest Sotës, Gjykata e Krimeve të Rënda bllokon pasaportën e Saimir Tahirit.

26 dhjetor 2017 – Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda vendosi t’i rikthejë pasaportën ish-Ministrit.

3 maj 2018 – Tahiri dorëhiqet si deputet.

5 korrik 2018 – Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon arrest me burg për Tahirin, por Gjykata e shkalllës së parë e Krimeve të Rënda vendosi për arrest shtëpie.

27 shkurt 2019 – Dy vite pas nisjes së hetimeve, Prokuroria dërgon dosjen e Tahirit në Gjykatë.

21 mars 2019 – Nis gjyqi ndaj Tahirit me kuzat përfundimtare “trafikim i narkotikëve, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”; “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “grup i strukturuar kriminal”.

22 korrik 2019 – Gjykata vendos gjykim të shkuartuar për Saimir Tahirin.

10 shtator 2019 – Prokuroria kërkon 12 vite burg, me gjykim të shkurtuar ulen në 8 vite.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>