Takimi Biden – Putin, çështjet ku ndahen dhe bashkohen palët

Nga Exit News
Takimi Biden – Putin, çështjet ku ndahen dhe bashkohen palët

Presidenti i SHBA, Joe Biden dhe ai rus, Vladimir Putin, do të takohen të mërkurën në Gjenevë të Zvicrës për herë të parë si presidentë të dy vendeve.

Pritshmëritë nga ky takim janë të ulta pasi marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Moskës kanë qenë të tensionuara gjatë muajve të fundit por megjithatë, të dy udhëheqësit thonë se ata shpresojnë se takimi mund të ndihmojë edhe pse ata kanë qëndrime të ndryshme pothuajse për gjithçka, nga Ukraina në Siri.

Midis mosmarrëveshjeve, ka disa çështje ku ato mund të bëjnë përparime modeste.

Sulmet kibernetike

Sulmet kibernetike nga persona që raportohet se janë të lidhur me Rusinë dhe që kanë shënjestruar dy herë infrastrukturën kritike amerikane janë shqetësim për Shtetet e Bashkuara.

FBI nuk ka zbuluar ndonjë provë që tregon përfshirjen e qeverisë ruse në sulmet ndaj dy kompanive të mëdha Colonial Pipeline Co dhe JBS SA ndërsa Putin thotë se ideja se Rusia ishte përgjegjëse është absurde.

Biden synon ta ngrejë këtë çështje të takim dhe ka sugjeruar se do të kërkojë nga autoritetet ruse që të arrestojnë kriminelët kibernetikë.

Biden do të ngrejë shqetësimet e SHBA-së rreth ndërhyrjes kibernetike ruse në politikën amerikane, diçka që Moska, e cila po bën presion për një pakt të mosndërhyrjes kibernetike, e mohon.

Të drejtat e njeriut dhe Navalny

Biden ka thënë që administrata e tij do të ketë përparësi promovimin global të të drejtave të njeriut dhe demokracisë dhe nuk do të ndalojë së paralajmëruari vendet për shkeljet e tyre.

Uashingtoni ka kritikuar Moskën për tentativën e helmimit dhe trajtimin e kreut të opozitës, Alexey Navalny dhe thotë se ai duhet të lirohet.

Kremlini, i cili mohon helmimin, ka thënë që politika ruse është një çështje e brendshme dhe Uashingtoni duhet të qëndrojë larg saj. Ai thotë se nuk do të marrë leksione nga një vend që shumë probleme brenda saj me zbatimin e të drejtave të njeriut.

Armët bërthamore

Dy fuqitë më të mëdha bërthamore në botë dëshirojnë të flasin për kontrollin e armëve për të siguruar marrëdhënie të qëndrueshme midis ushtarive të tyre.

Në shkurt, ata zgjatën për pesë vjet traktatin e “Neë START”, në bazë të të cilit secili vend zotohet të kufizojë arsenalin e armëve bërthamore.

Moska kërkon që traktati të jetë në fuqi për më shumë kohë dhe dëshiron gjithashtu të bëjë një marrëveshje që asnjëra palë të mos vendosë raketa të caktuara tokësore në Europë.

Ukraina

Shtetet e Bashkuara kanë qenë aleati më i fuqishëm i Ukrainës që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në 2014, një veprim që shtyu lidhjet e Moskës me Perëndimin në nivelet e ulëta të pas Luftës së Ftohtë.

Një grumbullim i forcave ruse në Krime dhe afër kufijve të Ukrainës në fillim të këtij viti shqetësoi Uashingtonin, i cili dëshiron që Rusia të kthejë Krimenë dhe që Kievi të rifitojë kontrollin e një pjese të Ukrainës lindore të kontrolluar nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

Udhëheqësit e NATO-s të hënën përsëritën një qëndrim të vitit 2008 se Ukraina mund t’i bashkohet një ditë aleancës ushtarake, por Biden tha se Kievit duhej të çrrënjoste korrupsionin dhe të plotësonte kriteret e tjera më parë.

LEXO  Parlamenti zgjedh Altin Binajn anëtar të pestë të Gjykatës Kushtetuese

Putini e ka bërë të qartë se Ukraina është një ‘vijë e kuqe’ dhe se ai dëshiron që Uashingtoni të qëndrojë larg saj. Ai ka kundërshtuar idenë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO, ka thënë që Krimea është ruse dhe i tha Kievit se duhet të negociojë me separatistët në Ukrainën lindore nëse dëshiron që territori t’i kthehet.

Ambasadorët dhe shërbimet konsullore

Statusi i misioneve të huaja është një fushë ku të dy palët besojnë se mund të ketë hapësirë ​​për përparim.

Rusia tërhoqi ambasadorin e saj në Uashington, në Mars pasi Biden deklaroi se ai besonte që Putin ishte një “vrasës”, ndërsa John Sullivan, ambasadori i SHBA në Moskë, u kthye në Uashington në Prill.

Një marrëveshje që të dy diplomatët të rikthehen në postet e tyre do të dërgonte një sinjal se janë bërë përparime. Mund të ketë vend edhe për një marrëveshje për vizat dhe personelin e ambasadave.

Rusia, në përgjigje të sanksioneve amerikane, ka vendosur kufij për numrin e stafit që ambasada amerikane mund të punësojë, duke e detyruar Uashingtonin të shkurtojë shërbimet konsullore.

Ajo është tërhequr gjithashtu nga një marrëveshje që lehtëson kufizimet për diplomatët që udhëtojnë nëpër vendet e njëri-tjetrit.

Të burgosurit

Rusia po mban të arrestuar dy ish-marinsa amerikanë. Njeri akuzohet për spiunazh ndërsa tjetri për sulm ndaj një oficeri policie. Të dy kanë mohuar akuzat. Familjet e tyre kanë kërkuar për lirimin e tyre përpara takimit Biden – Putin.

Putin ka pranuar në media se do ta konsideronte një shkëmbim të të burgosurve.

Moska është e interesuar për të kthyer nga amerika tregtarin e armëve Viktor Bout si dhe Konstantin Yaroshenko, një pilot i dënuar për trafik kokaine në Shtetet e Bashkuara.

Bjellorusia

Kremlini ka thënë se pret që Putin dhe Biden të diskutojnë mbi Bjellorusinë, një aleate e ngushtë e Rusisë, e zhytur në krizë vitin e kaluar kur shpërthyen protestat për ato që demonstruesit thanë se ishin zgjedhje presidenciale të manipuluara.

Me ndihmën e Moskës, presidenti Aleksandër Lukashenko deri më tani ka shuar tensionet duke kryer një shtypje brutale të protestave. Veprimet e tij kundër figurave të opozitës kanë zemëruar Perëndimin i cili është kundërpërgjigjur me sanksione.

Biden mund të bisedojë me homologun e tij për marrëdhëniet ekonomike dhe politike që Rusia planifikon të ketë me Bjellorusinë.

Putini e konsideron Bjellorusinë si pjesë të sferës së ndikimit të Rusisë.

Siria

Biden do të pyesë Putinin për ngurrimin e Moskës për të vazhduar një operacion të ndihmës ndërkufitare të mbështetur nga OKB në Siri.

Një zyrtar i OKB-së muajin e kaluar i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit që të mos shkurtojë një “litar shpëtimi” të ndihmës ndërkufitare për rreth 3 milion sirianë në veriun e vendit.

Putin ka thënë për NBC News se Rusia mendon që Perëndimi duhet të shpërndajë ndihmat për Sirinë përmes qeverisë qëndrore dhe jo të shmangë Presidentin Bashar al-Assad duke përdorur instrumentat ndërkombëtarë.

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>