Kosova dhe Serbia diskutuan për çështjen e personave të humbur dhe ekonomisë në takimin e tyre të dytë në nivelin e ekspertëve në Bruksel, të enjten.
Temat e diskutuara u raportuan nga Peter Stano, Zëdhënësi i BE-së për Punët e Jashtme dhe Sigurinë. Ai deklaroi se një marrëveshje midis dy vendeve do të arrihet pasi të kenë rënë dakord për të gjitha çështjet e pazgjidhura.
Kreu i delegacionit të Kosovës Skënder Hyseni nuk pranoi të zbulojë para shtypit temat e diskutuara, por tha se ata po punonin drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve. Një marrëveshje e tillë, sipas tij, do të nënkuptonte gjithashtu që Serbia e njeh Kosovën.
“Ne jemi duke negociuar elemente të një marrëveshjeje të përgjithshme e cila në fund do të jetë juridikisht e detyrueshme ndërkombëtarisht dhe patjetër që duhet të rezultojë në normalizimin e marrëdhënieve reciproke midis Kosovës dhe Serbisë, gjë që në mënyrë të pashmangshme nënkupton njohje të ndërsjellë”, u tha ai gazetarëve.
Përfaqësuesi i Serbisë Marko Gjuric tha se ai kishte refuzuar të merrte nga homologu i tij “disa letra në lidhje me shkeljet e pretenduara të marrëveshjes CEFTA nga Serbia.
I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak tha që një hap i rëndësishëm u bë sot drejt një marrëveshje përfundimtare:
“Kosova dhe Serbia rifilluan dialogun e udhëhequr nga BE në 12 korrik, pas 20 muajve ndërprerje. Udhëheqësit politikë u takuan në Bruksel katër ditë më vonë. Ata emëruan ekipet e tyre për të përparuar me “bisedimet politike në nivelin e ekspertëve”.