Ekipet e negociatorëve të Kosovës dhe Serbisë u takuan të enjten në Bruksel për të diskutuar çështjet financiare dhe pretendimet pronësore të palëve, si pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve.
Qeveria e Kosovës tha se takimi i nivelit të ekspertëve nuk dha rezultate të rëndësishme.
“Në lidhje me këtë temë, vetëm çështjet e pensioneve dhe kadastrës u diskutuan sot. Përkundër diskutimeve të gjata mbi këto tema, ende nuk ka një përafrim domethënës të pozicioneve,” shkruhet në një deklaratë të qeverisë së Kosovës.
Po ashtu thuhej se palët ranë dakord për të diskutuar pretendimet financiare dhe çështjet e pronës më shumë në takimin e ardhshëm.
Takimi i së enjtes u ndërmjetësua nga i dërguari i BE-së për dialog, Miroslav Lajcak.
Takimi erdhi pas një bllokimi një mujor mbi mosmarrëveshjet në lidhje me Asociacionin e Kosovës të Komunave me shumicë serbe.