Takimi Merkel – Putin, pikat kryesore nga kriza në Afganistan tek Navalny

Nga Exit News
Takimi Merkel – Putin, pikat kryesore nga kriza në Afganistan tek Navalny

Takimi i fundit midis presidentit Vladimir Putin dhe Merkel në postin e kancelares së Gjermanisë përfundoi me premtime nga të dyja palët për bashkëpunim në menaxhimin e situatës së krijuar në Afganistan, në projektin e gazsjellësit Nord Stream 2 dhe në çështjet Europiane si ndyshimi i klimës.

Megjithatë dy liderët shprehën gjithashtu mosmarrëveshjet midis tyre lidhur me një sërë çështjesh të tjera si kriza në Ukrainë dhe trajtimi i opozitës në rusi dhe liderit të saj të burgosur Alexei Navalny.

Këto janë disa nga pikat më të rëndësishme për të cilat Putin dhe Merkel folën në një konferencë të përbashkët për media.

Afganistani

Putin theksoi se kontrolli i Afganistanit nga talebanët tashmë është një realitet i cili nëse do të përpiqej të ndryshohej me imponim nga foca të jashtme do të kishte pasoja të kundërta me ato që do të synoheshin.

“Ne e njohim Afganistanin, dhe sa joproduktive është të imponosh atje modele politike dhe shoqërore”, tha Putin.

Fokusi sipas presidentit rus tashmë duhet të jetë në garantimin e sigurisë për diplomatët e huaj që ndodhen në Afganistan dhe në parandalimin e depërtimit të terroristëve në vendet fqinje me Afganistanin.

Kancelarja gjermane ndau të njejtin mendim se talebanët në pushtet janë tashmë një realitet ndësa konsideroi dështim fushatën e perëndimit në Afganistan.

“Ne dështuam në Afganistan…tani duhet të negociojmë me talebanët dhe të përpiqemi të shpëtojmë njerëzit që kanë punuar me ne dhe të sigurojmë që vendi të ketë përparim ekonomik”, tha Merkel.

Nord Stream 2

Merkel tha se bisedoi me Putin mbi projektin e gazsjellësit Nord Stream 2 dhe se ndanë qëndrim të përbashkët se negociatorët e rinj mes dy vendeve do të ishin shumë efikasë.

Kancelarja gjermane theksoi se shpresonte që prioriteti i vënies në punë të gazsjellësit në 2024 do të arrihej.

Ky projekt ka shkaktuar mosmarrëveshje mes Gjermanisë dhe SHBA-ve, pasi kjo e fundit argumenton se projekti dobëson pozitën e Ukrainës, duke e privuar nga tarifat e tranzitit të gazit që kalon nga Rusia në Europën Qëndrore.

Merkel tha se mbështet bashkëpunimin e Rusisë me BE veçanërisht në çështjen e ndryshimit të klimës.

Ukraina

Kriza në rajonet në lindje dhe verilindje të Ukrainës të cilat kontrollohen nga separatistë pro rusë dhe aneksimi i Krimesë ishin çështje për të cilat Merkel dhe Putin shprehën pikëpamje totalisht të ndyshyme.

Merkel tha se Gjermania nuk ndyshon nga pozicioni i saj se aneksimi i Krimesë nga Rusia është shkelje e sovranitetit.

“Ne i qëndrojmë qëndrimit tonë se aneksimi i Krimesë ishte një shkelje e sovranitetit shtetëror dhe ne do të luftojmë për integritetin territorial të Ukrainës”, tha Merkel.

Kancelarja i përshkroi si “rrugë pa krye” bisedimet për këtë rajon por ftoi palët të këmbëngulin në procesin e paqes.

Thirrje për paqe bëri dhe Putin por nga një tjetër pozicion. Presidenti rus akuzoi qeverinë Ukrainase se ka shkelur në 1000 raste armëpushimin në rajonin e Donbasit.

“Ne i bëjmë thirrje zonjës Merkel t’i bëjë thirrje zyrtarëve të Ukrainës që të zbatojnë Marrëveshjen e Minskut”, deklaroi Putin.

Navalny

Putin përsëriti se Navalny është arrestuar se ka thyer ligjin dhe jo për aktivitetin politik.

“Nuk duhet perdorur aktiviteti politik si mburoje per veprimet e paligjshme”, tha kreu i Kremlinit.

Por Merkel solli në vëmendje se tentativa për helmimin e Navalny u cilësua si shkelje dhe e papranueshme nga Gjykata për të Drejtat e Njeriut e cila kërkoi që ky rast të hetohet.

Kancelarja pranoi se më shumë sanksione mund t’i vendosen Rusisë për shkak të çështjeve të korrupsionit dhe trajtimit të opozitës brenda vendit.

Ajo i kujtoi presidentit rus se bashkëpunimi mes tyre është bërë më i vështirë pasi organizata gjermane janë shpallur të pa dëshirueshme në Rusi.

“Pyesim veten se si është e mundur të bashkëpunohet kur këto OJQ nuk lejohen të punojnë. Politika dhe lufta kundër korrupsionit janë të ndërlidhura, por ne kemi nevojë për gjykata të pavarura për të vlerësuar këto raste”, tha Merkel.

Bjellorusia

Kriza në Bjellorusi dhe qëndrimet e presidentit Lukashenko janë gjithashtu një çështje ku palët ndahen.

Teksa Putin e sheh konfliktin e atjeshëm si çështje të brendshme mes opozitës dhe presidentit, Merkel nënvizoi kufizimin e lirisë së figurave të opozitës dhe shtypjen me forcë të protestave si tregues të natyrës jo demokratike të qeverisjes.

Merkel dënoi gjithashtu nxitjen e valëve të emigrantëve nga Bjellorusia drejt Letonisë.

Në fund të konferencës për shtyp, Merkel tha se gjatë 16 viteve të fundit, pavarësisht mosmarrëveshjeve me Putin ata kanë gjetur terren për dialog të cilin e nxiti të vazhdonte.

Presidenti rus falendëroi kancelaren gjermane për punën e saj gjatë 16 viteve në krye të Gjermanisë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>