Objektivi i nismës së ‘Mini Shengenit’ është që brenda vitit 2023, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut t’i kenë të hapur dhe pa barriera kufijtë mes tyre. Kështu u shpreh presidenti serb Aleksandër Vuçiç gjatë Forumit Ekonomik Rajonal në Shkup të enjten.
Rama, Vuçiç dhe Zaev theksuan se nisma e tyre rajonale synon të focojë rajonin dhe heqë barrierat për mallërat, njerëzit, kapitalin dhe shërbimet.
“Qëllimi kryesor është të mos kemi ndalje të qytetarëve përkatës në kufi; të përgatiten politikat për lëvizje të lirë të shërbimeve përmes njohjes së përbashkët të kualifikimeve dhe nënshkrimeve elektronike; të sigurohet lëvizja e lirë e studentëve, ekspertëve dhe biznesmenëve; të lehtësohet lëvizja e kapitalit për një treg financar të lirë”, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Kryeministri Rama nënvizoi se vendet e rajonit nuk duhet të presin anëtarësimin në BE për të hapur kufijtë mes tyre. Sipas tij, Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi duhet t’i bashkohen nismës së “Mini Shengenit” por theksoi se në të kundërt ata ‘nuk do të presin deri sa të ketë konsensus’.
Presidenti serb, Vuçiç tha se do të ketë një takim më 15 tetor në Serbi mes liderëve të tre vendeve dhe më pas do të ketë një takim në Shqipëri.