Taksa progesive ul numrin e deklarimeve të të ardhurave

Nga Karl Kuci
Taksa progesive ul numrin e deklarimeve të të ardhurave

Çdo vit qytetarët në Shqipëri që kanë të ardhura më të larta se 2 milionë lekë në vit duhet të paraqesin në zyrën e Taksave deklaratën e të ardhurave. Sipas ligjit për deklarimin e të ardhurave, afati për plotësimin e formularit është data 30 prill. Në deklaratë përfshihen të ardhurat nga pagat, aksionet, interest bankarë, honorare, qira, llotari, dhurata apo të ardhura të përfituara nga jashtë.

Sipas revistës Monitor, në prill të vitit 2016, pra duke iu referuar të ardhurave të viti 2015, janë dorëzuar në zyrën e taksave vetëm 6,341 deklarata, ndërsa një vit më parë, në 2015-ën, ishin më pak se 5, 700 deklarata.

Kjo do të thotë se në të gjithë Shqipërinë janë më pak se 6,500 persona që kanë të ardhura vjetore më të larta se 2 milionë lekë të reja në vit. Kjo nuk është aspak e besueshme.

Në Shqipëri, sipas INSTAT deri në vitin 2015, kishte të paktën 103 mijë persona fizikë të regjistruar si biznes i vogël, nga të cilët një e treta me TVSH, pra me të ardhura nga 5 deri në 8 milionë lekë në vit — dhe të paktën 25 mijë shoqëri kapitalesh, 85 mijë karta krediti, dhe përafërsisht qarkullojnë 420 mijë makina, çdo vit importohen të paktën 2 mijë makina të reja dhe 30 mijë të përdorura.

A mund të besohet se nga kjo panoramë e përgjithshme vetëm 6, 500 mijë persona kanë të ardhura më të larta se 2 milionë lek?

A është ende e mundur që të gjitha të ardhurat nga pasuria e patundshme që janë në Tiranë të kontrollohet nga kaq pak persona?!

Pjesa më qesharake dhe hipokrite e shfaqur nga këto të dhëna është zbatimi i taksës progresive mbi nëpunësit, aq shumë e kërkuar dhe e propaganduar nga Partia Socialiste, që godet me progresivitetin e saj vetëm nëpunësin publik ose privat, me shumë mundësi atë më të shkolluarin, që nuk mund të bëjë evazion fiskal sepse taksën mbi rrogën ia mban punëdhënësi që në burim.

Rezulati përfundimtar është që këto funksionarë, me rrogë më të lartë, në shumicën e rasteve paguajnë në proporcion më shumë taksa se pronari i tyre.

Nëse qeveria do të vendosë me të vërtet një taksë progresive, duhet ta zbatojë atë në të gjitha llojet e të ardhurave ( paga, qera, honorare, inetresa financiarë, divident etj) dhe për ta bërë këtë duhet të vërë në punë realisht sistemin e deklarimit vjetor të të ardhurave, sepse, sikurse e kemi parë, të zbatosh taksën progresive vetëm të ardhurave nga paga, është e padrejtë.

Deri më tani, qeveria, për të përballuar nevojat e buxhetit të shtetit, ka zgjodh të detyrojë tatimpaguesit shqiptarë të paguajnë taksa mbi vlera fallse (por të parashikuara nga ligji) duke krijuar një sërë shtrembërimesh të tregut si deklarata të rreme për vlerën e pronave, mallit, qirave e deri tek vlera shumë të ulëta të faturimeve nëpër kompani.

Kjo ka ndodhur për shkak të menaxhimt të papërshtatshëm të taksave, por kryesisht dhe si shkak i vullnetit politik për të bërë propagandë të pajustifikuar, duke mbajtur njëkohësisht pushtetin për të negociuar me zbatimin ose jo të standardit të tatimpaguesit individual, e bazuar në një përzgjedhje që nxit korrupsionin.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>