Kryeministri Rama ka vendosur të financojë televizionet private me para publike përmes rritjes së tarifës të paguar nga çdo familje dhe biznes për aparatin dixhital televiziv. Këto të ardhura më pas do t’i ndahen televizoneve private sipas audiencës.
Rritja e tarifës u vendos si zgjidhje për marrëveshjen mes Kryeministrit Rama dhe përfaqësues të televizioneve private që kanë lobuar vazhdimisht për financimin e tyre direkt nga publiku.
Por për të mos ngjallur shumë reagime në publik, qeveria vendosi të kërkojnë në prill të 2018-ës, përmes RTSH-së, rritjet e tarifës së aparatit dixhital si domosdoshmëri për financimin e dixhitalizimit të RTSH-së dhe platformës dixhitale të tij.
Ndërsa dje përfaqësuesit e televizoneve private, në një diskutim me përfaqësues të AMA-s, argumentuan se rritja e tarifës dhe më pas financimi i tyre me para publike është e drejtë sepse televizionet e tyre ndiqen më shumë nga qytetarët se sa TVSH-ja.
Rritja e tarifës
Aktualisht, çdo familje dhe biznes paguan 100 lekë në muaj—1200 lekë, ose rreth 8,7 euro në vit—si tarifë për sinjalin e transmetimit televiziv publik. Kjo tarifë faturohet dhe mblidhet përmes OSSHEE-së, së bashku me faturimin e energjisë elektrike për çdo familje ose biznes.
Në total, nga tarifa mblidhen rreth 11 milionë euro të cilat i shkojnë RTSH-së. Përveç kësaj shume, RTSH merr çdo vit edhe rreth 6,5 milionë euro nga buxheti i shtetit. Së bashku me të ardhurat e siguruara nga vetë institucioni përmes pagesa të ndryshme, përfshi reklamën, buxheti vjetor i RTSH-së arrin në rreth 20 milionë euro.
Në raportin vjetor për vitin 2017, dërguar në Kuvend nga RTSH, pohohet se “shpenzimet e RTSH për digjitalizimin dhe transmetimet… gllabërojnë pothuajse gjithë shumën që mblidhet nga tarifa”. Ndaj, për të siguruar financimin e dixhitalizmit dhe shpenzime të tjera operacionale, TVSH kërkon “një rritje graduale të taksës së aparatit që mund të mbulojë një pjesë të madhe të kostos së dixhitalizimit”.
Në fakt, RTSH propozon një rritje prej 50 për qind të tarifës:
“Edhe një rritje prej 50 për qind [e taksës] mbi nivelin aktual do të ishte e mjaftueshme për të mbuluar, për shembull, pagesat vjetore për Deutsche Bank. (RTSH ka marrë kredi nga DB për dixhitalizimin.)
…Një rritje domethënëse e taksës duket e domosdoshme për të siguruar nivelin e duhur të financimit të RTSH-së për funksionim normal. Veç kësaj, mund të ketë nevojë për kontribute shtesë nga buxheti i shtetit në 3-4 vitet në vazhdim për të përballuar pjesën më të madhe të kostos së dixhitalizimit”.
Pra, me rritjen nga 1200 lekë në 1800 lekë për familje e biznes në vit të taksës për televizionin, RTSH kërkon të përfitojë dhe 5-6 milionë euro më shumë nga taksapaguesit shqiptarë.